Tre muaj pa paga, punëtorët e Pallatit të Rinisë në grevë

Tre muaj pa paga, punëtorët e Pallatit të Rinisë në grevë

Ka dy ditë që në Pallatin e Rinisë nuk kryhet asnjë shërbim bazë nga punëtorët e kësaj ndërmarrje publike.

Për arsye të mos marrjes së pagave tash e tre muaj, ata kanë shpallur grevë të përgjithshme. Pavarësisht se komuna e Prishtinës e ka marr në menaxhim, punëtorët shprehen se nuk po e kanë mbështetjen e tyre.

Për shkak të kësaj gjendje dhe shpërfilljeve që po iu bëhen, punëtorët kanë themeluar Këshillin Grevist, që përbëhet prej tre anëtarëve.

Njëri prej tyre, Adem Bucolli me tone të ashpra shprehet i vendosur se pavarësisht presioneve që mund t’i kenë, ata nuk do të ndërpresin grevën deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.

Ai, me bindje të plotë thotë se nuk do të kryhet asnjë aktivitet që iu takon atyre dhe se të  gjitha aktivitetet sportive do të anulohen.

Primare për të është marrja e pagave dhe kthimi i kontratës së vitit 2016, para futjes në AKP.

Anëtarja tjetër e Këshillit Grevist, Fatmire Sijarina duke përmendur marrjen në menaxhim të Pallatit të Rinisë nga organet komunale, thotë se mbështetja nga ta është minimale.

Sijarina shprehet se dëmet për shkak të grevës do të jenë të mëdha, duke marr parasysh numrin e madh të aktiviteteve sportive, kulturore dhe bizneseve.

Mirëpo, përkundër kësaj, ajo shprehet e vendosur se greva nuk do të ndërpritet derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli thotë se menaxhmenti i kësaj ndërmarrje nuk është në grevë, mirëpo shprehet në mbështetje të punëtorëve, pasi kërkesat e tyre i sheh si njerëzore.

Përkundër kësaj, ai thotë se greva po shkakton dëme, të cilat sipas tij, do të jenë të dukshme në mos mbarëvajtjen e rregullt të punës.

Për dëmet e mëdha që po shkaktohen u shprehën edhe bizneset në Pallatin e Rinisë.

Ata jashtë kamerës së KosovaPress-it, kanë treguar se moskryerja e obligimeve të punëtorëve po iu paraqet problem në punën e rregullt të tyre.

KosovaPress ka bërë përpjekje që të marr një deklaratë edhe nga zyrtarë të komunës së Prishtinës, por kontakti me zyrtarët për media ishte i pamundur.

Pallati i Rinisë më herët ka qenë në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kurse prej muajit dhjetor ka kaluar në duar të kryeqytetit. Ndërsa, për shkak të borxheve të shumta që ka ndërmarrja,  kreditorët përmes përmbaruesve po iu bllokojnë xhirollogaritë e punëtorëve.