Caktohet masa e paraburgimit ndaj gjilanasit që i vodhi çantën viktimës

Caktohet masa e paraburgimit ndaj gjilanasit që i vodhi çantën viktimës

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit H. A.

Ekziston dyshimi i bazuar se 23.10.2018 në ora 23:45 minuta, në Gjilan i pandehuri H. A. në bashkëpunim me të miturit A. K. dhe F. B., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të vrazhdë kanë marrë çantën të dëmtuarës Sh. S., në të cilën kishte disa të holla dhe një telefon mobil.

Me këto veprime të pandehurit, kanë kryer veprën penale vjedhje e rëndë, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit H. A., pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek e dëmtuara dhe tek të miturit e lartcekur.

Ndërkohë, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për të Mitur ka caktuar masën lajmërim në Stacionin Policor në Gjilan për të miturit A. K. dhe F. B..

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.