Trump, tjetër lëvizje në Lindjen e Mesme

Trump, tjetër lëvizje në Lindjen e Mesme

Rreth dy vjet pas njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, Donald Trump po shqyrton një tjetër lëvizje që pritet të trazojë ujërat në Lindjen e Mesme; njohjen e Lartësive Golan si territor të shtetit hebre.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se është koha që Shtetet e Bashkuara të njohin sovranitetin e Izraelit në Lartëistë Golan, të cilat iu morën Sirisë në vitin 1967. Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Trump ka thënë se lëvizja është e një rëndësie strategjike për sigurinë e shtetit të Izraelit dhe stabilitetin rajonal.

Izraeli i aneksoi Lartësitë Golan në vitin 1981, një manovër kjo e shtetit hebre që nuk është njohur në nivel ndërkombëtar. Sidoqoftë, kryeministri izraelit Beniamin Netanjahu nuk ka vonuar ta falenderojë presidentin Trump për vendimin e tij.

“Në një kohë kur Irani po përpiqet të përdorë Sirinë si një platformë për të shkatërruar Izraelin, presidenti Donald Trump me guxim njeh sovranitetin e Izraelit në Lartësitë Golan”,ka deklaruar Netanjahu, edhe ai në Twitter.

Lëvizja e presidentit të Shteteve të Bashkuara vjen në një kohë kur Netanjahu po përpiqet të riafirmohet në zgjedhjet e 9 prillit dhe kur po përballet me akuza të forta për korrupsion. Në vitin 2017, Trump njoftoi njohjen nga Amerika të Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosi atje ambasadën e Shteteve të Bashkuara, një lëvizje kjo që shkaktoi irritimin e palestinezëve.

Palestinezët pretendojnë Jeruzalemin lindor si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm dhe sipas marrëveshjes së paqes të vitit 1993 me Izraelin, statusi final i tij do të diskutohet në fazat e mëvonshme të bisedimeve të paqes, të ndërprera prej vitesh.