Dënim me burgim me kusht dhe me gjobë ndaj zyrtares së MKRS

Dënim me burgim me kusht dhe me gjobë ndaj zyrtares së MKRS

Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj anëtares së Këshillit të Librit, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Sabile Keçmezi Basha, e cila kishte pranuar fajësinë për veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Avni Syla, të akuzuarës Keçmezi Basha, i është shqiptuar burgim me kusht në kohëzgjatje prej gjashtë muajve, me kusht që ajo të mos kryer vepër tjetër penale brenda afatit prej një viti.

Ndaj të akuzuarës Keçmezi Basha është shqiptuar edhe dënimi me gjobë në lartësi prej 250 euro, të cilën e akuzuara mund ta paguaj në dy këste, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Syla, ka njoftuar se nëse e akuzuara nuk paguan dënimin me gjobë brenda afatit ligjor, atëherë ky dënim do të zëvendësohet në dënim me burgim.

Në emër të paushallit gjyqësor e akuzuara obligohet të paguajë shumën prej 20 euro.

Sipas gjykatësit, palët e pakënaqura ndaj këtij vendimi kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, e akuzuara Keçmezi Basha, në seancën fillestare të mbajtur më 21 mars të këtij viti, e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shtator 2018, Sabile Keçmezi Basha, akuzohet se nga data 1 mars e deri më 31 mars 2018, në cilësinë e zyrtares së lartë publike, si anëtare e Këshillit të Librit, edhe pse ka qenë e detyruar ta bëj deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare, nuk ka deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor për periudhën kohore nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2017.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarën Sabile Keçmezi Basha, se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 par.1 të KPRK-së. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi