BQK-ja dhe BERZH-i diskutuan lidhur me zhvillimin e tregut të kapitalit

BQK-ja dhe BERZH-i diskutuan lidhur me zhvillimin e tregut të kapitalit

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar sot përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e këtij institucioni për gjendjen në sistemin financiar dhe ka falënderuar përfaqësuesit e BERZH-it për përkrahjen e vazhdueshme që kanë dhënë dhe po japin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se sistemi financiar në Republikën e Kosovës ka pasur zhvillime pozitive, duke shënuar rritje vjetore prej 6.9%, ndërsa kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore  rreth 11%, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6%, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.6%.

Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e BB-së lidhur me zhvillimet pozitive në sektorët tjerë, si sektorin e sigurimeve, pensioneve dhe atë të institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare.

Në të njëjtën kohë, Guvernatori i njoftoi zyrtarët e BERZH-it lidhur me zhvillimet në tregun e letrave me vlerë të emetuara nga Qeveria, mënyrën e funksionimit të ankandeve, zhvillimet në tregun sekondar të letrave me vlerë, si dhe për iniciativën e kohëve të fundit të BQK-së lidhur me kornizën ligjore për ofrimin e mundësisë së tregtimit të REPO instrumenteve.

Guvernatori Mehmeti theksoi se është moment mjaft i volitshëm për vlerësimin e mundësisë së zhvillimit të tregut të kapitalit si një alternativë e nevojshme për avancimin e qasjes në financa.

Përfaqësuesit e BERZH-it, të kryesuar nga Andre Kuusvek, Drejtor i Zhvillimit të Valutës Lokale dhe Tregjeve të Kapitalit, falënderuan Guvernatorin Mehmeti për shpjegimet dhe shprehën gatishmërinë për përkrahjen e BQK-së dhe Kosovës lidhur me mundësinë e zhvillimit të mëtejmë të tregut të kapitalit në Republikën e Kosovës.