SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Iranit

SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Iranit

Shtetet e Bashkuara kanë goditur sërish me sanksione Iranin duke shënjestruar 31 shkencëtarë, teknikë dhe kompani të cilët janë të përfshirë në programet e kërkimit dhe zhvillimit të armëve bërthamore të Iranit.

Në një deklaratë më 22 mars, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se 14 individë dhe 17 subjektet e shënjestruara janë të lidhur me Organizatën e Iranit për Mbrojtje Inovacion dhe Kërkim.

Deklarata thotë se grupi është i njohur përmes akronimit persian SPND dhe është "themeluar nga Mohsen Fakhrizadeh, kreu i programit të fundit të armëve bërthamore të regjimit iranian".

Administrata e presidentit, Donald Trump, "vazhdon të mbajë përgjegjës regjimin iranian për aktivitete që kërcënojnë stabilitetin e rajonit dhe dëmtojnë popullin iranian", thuhet në deklaratë.

Deklarata vjen në kohën kur sekretari i shtetit, Mike Pompeo, është në Bejrut duke paralajmëruar zyrtarët libanezë për të frenuar ndikimin e lëvizjes Hezbollah të mbështetur nga Irani.

Pompeo tha se Hezbollahu është një organizatë terroriste dhe nuk duhet të lejohen të vendosë politika apo të përdorin pushtetin pavarësisht pranisë në parlamentin dhe qeverinë e Libanit.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vendosë sanksione ndaj Iranit për shkak të testit të tij të fundit të raketave dhe nisjen e dy satelitëve, duke thënë se ato shkelin rezolutat e OKB-së.