Paqueta merr numrin 10 te Brazili: Jam këtu falë Milanit

Paqueta merr numrin 10 te Brazili: Jam këtu falë Milanit

Iu bashkua Milanit vetëm në muajin janar, por që atëherë Lucas Paqueta është nisur gjithmonë titullar, duke kaluar me shpejtësi periudhën e maturimit, ndërsa në jo pak ndeshje, ka qenë pikë referimi për kuqezinjtë e Gattusos.

Brenda më pak se 3 muajsh me fanellën e kuqezinjve, Paqueta ka marrë edhe thirrjen nga Kombëtarja braziliane, e cila për më tepër i ka besuar edhe fanellën me numër 10, të cilën në histori e kanë veshur Pele, Zico, Ronaldinho dhe së fundi Neymar.

Ka qenë pikërisht mungesa e këtij të fundit, që ka lejuar brazilianët t’i japin fantazistit të Milanit fanellën me numër 10, në prag të dy ndeshjeve miqësore ndaj Panamasë dhe Republikës Çeke më 23 dhe 26 Mars.

“Jam shumë i emocionuar sepse fanella me numër 10 bart histori të madhe. Jam i nderuar që më kanë vlerësuar. Milani më ka dhënë një suport të jashtëzakonshëm dhe jam këtu vetëm falë tyre”, tha Paqueta./SS/