Griezmann është sportisti më i paguar francez

Griezmann është sportisti më i paguar francez

Sulmuesi i Atleticos së Madridit, Antoine Grizmann, është sportisti më i paguar francez për vitin 2018. Në listën e më të paguarve të publikuar nga prestigjiozja “L’Equipe”, 6 nga 10 të parët janë futbollistë.

Me rinovimin e kontratës verën e kaluar, të ardhurat e Griezmann u dyfishuan nga 10 në 20 milionë euro (vetëm për 6-mujorin e dytë), por përfitimet financiare të tij u rritën shumë edhe nga kontratat sponsorizuese dhe nga suksesi në Botëror me Francën. Në total, sulmuesi i “Los Colchoneros” ka arkëtuar gjatë vitit të kaluar 33 milionë euro.

Në vend të dytë është një tjetër kampion bote, pikërisht Kylian Mbappe me 24.7 milionë euro. 20-vjeçari ndiqet nga Paul Pogba me 22.1 milionë euro, me mesfushorin e Manchester United që i paraprin sulmuesit të Realit të Madridit, Karim Benzema, që e mbylli vitin me 22 milionë euro të ardhura.

Në vend të pestë është një sportist që nuk luan futboll. Bëhet fjalë për basketbollistin e Charlotte Hornets, Nicolas Batum, me 20.9 milionë, 300.000 euro më shumë se kolegu i tij te Utah Jazz, Rudy Gobert.

I shtati është sulmuesi i Barcelonës, Ousmane Dembelé, që arketon 19.1 milionë euro, më pas vijnë me radhë basketbollisti i Memphies  Grizzlies, Joakim Noah (17.5), Evan Fournier (15.2) i Orlando Magic, për ta mbyllur listën e 10 sportistëve francezë më të paguar me Franck Ribery që përfitoi 14.3 milionë euro si futbollist i Bayernit.