Dënohet me 300 euro gjobë i akuzuari për posedim të narkotikëve

Dënohet me 300 euro gjobë i akuzuari për posedim të narkotikëve

Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 300 eurosh, të akuzuarit për posedim të narkotikëve, Samuel Halilaj.

I akuzuari, gjithashtu është obliguar edhe në shpenzimet procedurale në shumën prej 60 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para se të shpallej aktgjykimi, i akuzuari Halilaj e ka pranuar veprën penale, e cila i vihej në barrë, duke shprehur keqardhje për rastin e ndodhur.

“E kam konsumuar për nevojat e mia. Tani më nuk e konsumoj”, ka thënë i pandehuri Halilaj.

Avokati mbrojtës i të pandehurit, Shaban Gashi tha se, e parakrah në tërësi deklaratën e të mbrojturit të tij.

“Edhe përkundër faktit për pasojat që mund t’i këtë pranimi i fajësisë, i mbrojturi im këtë pranim të fajësisë e ka bërë në të gjitha fazat e procedurës dhe është zotuar se në të ardhmen nuk do ta kryen më vepra penale. Andaj i propozoj gjykatës që të mbrojturit tim ti shqiptoi dënim më të butë”, tha ai.

Ndërkaq, prokuroria Lumturje Hoxha, para leximit të aktakuzës ka bërë rikualifikimin e veprës penale, duke thënë se pasi që sasia e substancës është 1.8 gram, në rastin konkret kemi të bëjmë me nenin 275 paragrafi 2, e jo më nenin 275 paragrafi 1 të precizuar në aktakuzë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 9 nëntor 2018, i pandehuri Samuel Halilaj ngarkohet me veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 10 tetor 2018, rreth orës 14:25, në rrugën “Haxhi Zeka” në Istog, i pandehuri pa autorizim posedon narkotikë të llojit “marihuanë” në sasi prej 1.8 gram.

Sipas aktakuzës, ditën kritike zyrtarët policorë pasi kanë vërejtur sjellje dyshuese tek i pandehuri, e ku ai me të vërejtur policinë fillon të largohet në drejtim të kundërt, duke e hedhur substancën narkotike, e ku për këtë është ndaluar nga policia dhe duke ia sekuestruar substancën narkotike.  


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi