Ish-shefi i Krimeve Ekonomike kërkon të kthehet në vendin e punës

Ish-shefi i Krimeve Ekonomike kërkon të kthehet në vendin e punës

Pas rreth katër muajsh që nga ushtrimi i padisë, ka përfunduar gjykimi në rastin e ish-drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti.

Sipas padisë së ushtruar më 7 dhjetor 2018, Nazim Sahiti ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që ta anulojë vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, duke kërkuar gjithashtu që të kthehen në vendin e tij të punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën e tij përfundimtare, përfaqësuesi i paditësit, avokati Besnik Berisha, deklaroi se vendimi me të cilin paditësi është shkarkuar nga pozita që mbante, është i padrejtë, arbitrar dhe nuk reflekton interesat e Policisë së Kosovës.

Sipas tij, ky vendim është në shkelje flagrante me udhëzimin administrativ, mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës 04/2017, respektivisht nenin 30, paragrafin 1, 4 dhe 5, ngase sipas këtij udhëzimi, ai ka thënë se personelit të policisë i garantohet mbrojtja kundër çfarëdo largimi apo transferimi të paarsyeshëm apo të panevojshëm.

“Në rastin konkret degradimi i paditësit as nuk reflekton arsyeje e as nuk reflekton nevojë, për degradimin e tij. Andaj gjykatës i propozojmë që ta aprovojë padinë dhe kërkesëpadinë për arsyeje të parashtruara si në seancën e kaluar, dhe për faktin e vetëm se marrëdhënia e punës është kategori kushtetuese, gëzon mbrojtje nga vendimet arbitrare, si kjo në rastin konkret, asnjë nga provat e dorëzuara nga pala e paditur, nuk provuan, nevojën e as arsyeshmërinë e degradimit të paditësit, në fakt këto prova provuan të kundërtën e saj”, tha Berisha gjatë fjalës së tij përfundimtare.

Sipas Berishës, gjatë kësaj procedure, është provuar se nuk kishte arsyeje dhe nuk kishte nevoja operacionale të policisë, madje sipas tij, nuk është dëshmuar se pozita aktuale e paditësit ka ndonjë interes dhe është në përshtatshmëri me gradën e tij dhe interesin e policisë.

Ndërsa, këto i kundërshtoi përfaqësuesja e të paditurës, Nehmije Karaqi, e cila tha se vendimi mbi shkarkimin e paditësit, është bërë konform udhëzimit administrativ, ku sipas saj, parashihet se personeli policor, për shkak të nevojave operacionale, të shërbimit, pa pëlqimin e tij, apo të saj, mund të sistemohet për kohë të caktuar apo të pacaktuar, nga një vend në tjetër të punës.

“Vendimi kontestues është marr në pajtim me nenin 32 paragrafi 1 dhe 3 i  Udhëzimit Administrativ, andaj, duke u bazuar në të gjitha këto, si dhe duke u mbështetur në dispozitat e lartpërmendura, kërkoj nga gjykata që pas administrimit të provave të merr aktgjykim, duke refuzuar padinë dhe kërkesën e saj si të pabazuar dhe ta lë në fuqi vendimin kontestues”, deklaroi përfaqësuesja e të paditurës.

Para dhënies së fjalës përfundimtare, palët kanë thënë se nuk kanë vërejtje lidhur ekspertizën financiare. Gjithashtu, në këtë seancë, përfaqësuesja e të paditurës, deponoi parashtresën me shkresa, të cilat ia propozoi gjykatës që të administrohen, e për të cilat përfaqësuesi i paditësit kishte vërejtje pasi që sipas tij, nuk ishin fare relevante.

Sipas padisë së ushtruar më 7 dhjetor 2018, paditësi Nazim Sahiti, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që ta anulojë vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës.

Sipas padisë, paditësi në vitin 2017, fillimisht ishte emëruar ushtrues i detyrës në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, e disa muaj më vonë ishte graduar edhe me gradën Major, ndërsa në maj të vitit 2018, ishte emëruar në pozitën e drejtori i Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Por, sipas pretendimeve në padi, përkundër vlerësimit pozitiv të performancës dhe arritjes së objektivave të punës si drejtor, paditësi pa pëlqimin e tij, u shkarkua nga pozita e drejtorit me vendimin e 17 tetorit 2018.

Sipas padisë, i pakënaqur me këtë vendim, paditësi kishte ushtruar ankesë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në Komisionin për Ankesa, por që sipas padisë, Komisioni për Ankesa kishte marr një vendim në të cilin nuk kishte adresuar fare pretendimet e ngritura në ankesë.

Andaj, paditësi i bindur se vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është i padrejtë, i kundërligjshëm dhe i bërë për motive të hakmarrjes personale, kishte kërkuar nga Gjykata anulimin e vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, dhe të obligohet e paditura që paditësin ta kthen në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit si dhe t’i bëj kompensimin e diferencës së pagës. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi