IKD, mbahen trajnime për avancimin e të drejtave në procedurë penale

IKD, mbahen trajnime për avancimin e të drejtave në procedurë penale

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me CLARD, dhe mbështetur nga Fair Trials Europe dhe Netherlands Helsinki Committee, përmes programit MATRA, mbështetur nga Ambasada Holandeze në Prishtinë, të hënën ka mbajtur trajnimin “Avancimi i të drejtave të procedurës penale në Kosovë”, me gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe Organizata jo-qeveritare (OJQ) nga regjioni i Prishtinës.

Trajnimi i cili u udhëheq nga z. Bruno Min, eskpert nga Fair Trials, u fokusua në katër çështje apo direktiva kryesore.

Çështja e parë e cila u diskutua ishte hyrja në të drejtën penale të BE-së lidhur me prejardhjen e direktivave dhe dispozitat kryesore të direktivave. Sa i përket direktivave për interpretim, përkthim dhe informacion, u fol për të drejtën në përkthim cilësor të të pandehurve, nga momenti i arrestimit deri në vendimin e plotfuqishëm nga gjykata.

Kurse lidhur me direktivat për qasje në një avokat dhe ndihmë juridike u diskutua për të drejtën e të pandehurve në avokatë nga arrestimi nga policia deri ne përfundim të procesit gjyqësor si dhe kriteret e së drejtës në ndihmë juridikë.

Gjithashtu pjesë e diskutimit ishin edhe direktivat për prezumimin e pafajësisë dhe fëmijët, të cilat u diskutuan në katër aspektet kryesore, si: shmangia e referencave publike në fajësi apo pafajësi të të pandehurit, paraqitja e të dyshuarve apo pandehurve, barra e provës dhe e drejta për të mos folur, si dhe shmangia nga vetë-inkiminimi.

Projekti ka për qëllim përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave procedurale në Kosovë përmes një qasjeje transnacionale të bazuar në të drejtën penale të BE-së në fushën e qasjes në drejtësi, në veçanti Direktivat për të Drejtat Procedurale dhe në ndarjen e përvojave ndërmjet ekspertëve të drejtësisë penale dhe shoqërisë civile nga Kosova dhe BE-ja.

IKD në bashkëpunim me CLARD, të ndihmuar nga Fair Trials Brussels dhe Netherlands Helsinki Committee janë duke udhëhequr procesin e përgatitjes së anëtarësimit të Kosovës në LEAP.

Ky proces është duke u realizuar përmes projektit të përkrahur nga Ambasada Holandeze në Kosovë.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi