Mungesa e të akuzuarit shtyn gjykimin për kanosje

Mungesa e të akuzuarit shtyn gjykimin për kanosje

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar, i paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ndaj të akuzuarit për kanosje, Fadil Morina.

Shkak i dështimit të këtij gjykimi, ka qenë mungesa e të akuzuarit Morina, ndërsa e pranishme ishte prokurorja Stojanka Kasaloviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja e rastit Lidija Vuquoroviq, bëri të ditur se i akuzuari ka pranuar fletëkthesen në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Andaj, në këto rrethana ajo ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, duke e shtyrë atë në kohë të pacaktuar, ndërsa ka njoftuar se ndaj të akuzuarit Morina do të lëshojë urdhëresë për sjellje.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 17 prill 2018, Fadil Morina po akuzohet se më 8 maj 2017, në Mitrovicë, para lokalit “Imperial”, me seriozitet e ka kërcënuar me fjalë personin tjetër Branislav, Klaiq menaxher i bastores, që do t’i shkaktojë lëndime për arsye se nuk është lejuar hyrja në lokal, në të cilin qasja e tij është e ndaluar.

Siç thuhet në aktakuzë, ai ka kërcënuar se do ta thyejë derën e hyrjes e do ta djeg lokalin, si dhe duke e kanosur edhe me familje të dëmtuarin.

Me këtë sipas organit të akuzës ngarkohet me veprën penale “kanosja” nga neni 185 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi