KPK miraton planin strategjik 2019-2021

KPK miraton planin strategjik 2019-2021

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në mbledhjen e së mërkurës, ka miratuar njëzëri planin strategjik për vitet 2019-2021.

Draftin e këtij plani, e paraqiti drejtori i Sekretariatit në KPK, Lavdim Krasniqi, i cili tha se ky plan përfshinë të gjithë sistemin prokurorial për periudhën e ardhshme tre vjeçare.

Përmbajtja e këtij plani, Krasniqi tha se është ndarë në tre kapituj, të cilat përfshijnë të dhëna lidhur me strukturën, zhvillimin e sistemit prokurorial, vizionin e sistemit si dhe shtyllat kryesore bashkë me objektivat specifike.

Shtylla e parë, siç tha Krasniqi, flet për fuqizimin e efikasitet të sistemit, shtylla e dytë flet për fuqizimin e kapaciteteve të sistemit, kurse e treta dhe e katërta, sipas Krasniqit, fokusi është te Prokurori i Shtetit dhe ndjekja e kryeseve të veprave penale të krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve ekonomike, terrorizmit, dhunës në familje dhe krimeve të urrejtes.

Lidhur me objektivat specifike të këtij plani, sa i përket shtyllës së parë, Krasniqi tha se janë forcimi i kornizës ligjore, rritja e llogaridhënies dhe transparencës, sigurimi i infrastrukturës së përshtatshme për punë, bashkëpunimi me institucionet si dhe partnerët ndërkombëtarë dhe trajtimi i rasteve të mbetura nga vitet e kaluara.

Te shtylla e dytë, Krasniqi tha se janë gjashtë objektiva, siç janë, fuqizimi i integritetit të prokurorit, avancimi i sistemit të vlerësimit të prokurorëve, forcimi i sistemit të rekrutimit të prokurorive, pastaj avancimi në zhvillim të karrierës, forcim i sistemit të disiplinimit dhe ngritja e kapaciteteve profesionale.

Si objektiva të shtyllave tre dhe katër të planit strategjik, Krasniqi tha se janë rritja e cilësisë së kallëzimeve penale, bashkëpunimi me institucionet të cilat kryejnë ekspertizat për llogari të prokurorëve, zbatimi më i mirë i procedurave të sekuestrimit dhe mbrojtjes së viktimave, fuqizimi i performancës së prokurorit në ndjekjen e rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve ekonomike, terrorizmit dhe dhunës në familje.

Në fund të fjalës së tij, Krasniqi tha se KPK do të caktojë një mekanizëm që do të bëj monitorimin e zbatimit të këtij plani.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni tha se në këtë plan kontribut kanë dhënë të gjithë anëtarët e KPK-së si dhe janë marr parasysh edhe propozimet që kanë ardhur nga ana e Ambasadës Amerikane dhe nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, Hyseni propozoi që në këtë plan të inkorporohet edhe propozimi i Projektit Britanik, i cili megjithëse siç tha Hyseni kishte theksuar se plani është i ndërtuar mirë, ka propozuar që në këtë plan të theksohet edhe fakti se besimi  i publikut në sistem është i ulët dhe se duhet të punohet në këtë aspekt.

Ky plan, bashkë me propozimin e Projektit Britanik, u miratua njëzëri nga anëtarët e KPK-së.

Po ashtu, në këtë mbledhje, betimin e saj e dhe edhe anëtarja e më e re e KPK-së nga radhët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSKR), Merita Bina-Rugova, e cila ishte zgjedhur më 25 mars 2019.

Lidhur me zgjedhjet që ishin mbajtur me 25 mars, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Arben Ismajli tha se kandidati tjetër nga PSRK, Naim Abazi kishte kërkuar disa sqarime me shkrim, të cilat ai tha se tashmë i janë dhënë atij.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi