Enver Hoxha shpërblim financiar për Miladinin, Dushanin dhe lëvizjen serbe

Enver Hoxha shpërblim financiar për Miladinin, Dushanin dhe lëvizjen serbe

Faksimile e letrës si dhe një foto e Dushan Mogoshës, Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit në vitin 1943.

Jo vetëm mirënjohje për ta por edhe shpërblim në të holla. Ky fakt interesant gjendet në një prej letrave të shumta që përbëjnë korrespondencën e Enver Hoxhës me tutorët e tij jugosllavë, shkruan Kastriot Dervishi. Jemi në fundin e vitit 1943, pikërisht në kohën kur Hoxha ka kapërcyer fazën e ilegalitetit nëpër shtëpitë e Tiranës ku kalonte orë të këndshme duke organizuar....luftën. Tanimë ishte periudha tjetër, ajo e malit dhe e fushës.

Revista “Zbornik”, që dilte në Beograd, në numrin e saj të 19-të, të vitit 1969, në lidhje me “lirinë e Kosovës” botonte dokumente ku ndër të tjera figurojnë edhe letra të Enver Hoxhës. Në fakt me dhjetëra prej tyre që fluturuan drejt “shokëve jugosllavë” në vitet e luftës dhe që bartin në të vërtetë më shumë se çdo marrëdhënien servile e të vërtetën e madhe të lidhjeve midis komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë. Në mënyrë krejt diletante duke treguar më shumë se kurrë një papjekuri politike, udhëheqësit komunistë të Shqipërisë i drejtoheshin Beogradit si të qe ky një qendër e rëndësishme dogmatike për çdo shqetësim të tyren. Nga kjo papjekuri politike, dhjetëra letra të nisura nga “Shpati”, “Tarasi”, etj kanë ngelur në duar të jugosllavëve si relike që pasqyrojnë atë kohë në mënyrën më të shëmtuar për shqiptarët.

Me paratë që i ishin marrë tregtarëve shqiptarëve për të financuar të ashtuquajturën luftë, nuk financoheshin qëndrimet në male për pushime verime e dimërime, por me një pjesë e tyre dilnin edhe për qëllime të tjera. Në vitin 1943, kur Enver Hoxha me pseudonimin “Shpati” ishte përzgjedhur nga Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha në krye të komunistëve të Shqipërisë, pikërisht në kohën kur PKSH-ja kishte prishur edhe formalisht marrëveshjen e fundit me nacionalistët (takimi i fundit i Hoxhës me Abaz Kupin), një sasi parash shkonin në Kosovë për të ndihmuar lëvizjen komuniste kryesisht serbe të Kosovës, padyshim kundër faktorit nacionalist shqiptar. Por në këtë sasi përfshiheshin si zë i veçantë edhe një sasi për dy tutorët e Enver Hoxhës si Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Këtë e dëshmon njëra prej letrave të nisura për komitetin krahinor komunist jugosllav në Kosovë, të cilit Enver Hoxha i drejtohet me të njëjtën terminologji si të ishte vetë një serb e devotshëm.

***

Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare

10 dhjetor 1943

Komitetit Qendror Krahinor të Kosmetit të Partisë Komuniste Jugosllave

Të dashur shokë!

Në këtë luftë të ashpër dhe vendimtare që bota përparimtare po i bën nazizmit barbar, popujt e Jugosllavisë qëndrojnë në radhën e parë të popujve heroikë që po e goditin rëndë okupatorin dhe tradhtarët e vendit të tyre. Partia heroike jugosllave po shkruan faqe të ndritura e plot lavdi në këtë luftë vigane. Ajo me në krye shokun e madh Tito, po çon ushtrinë nacionalçlirimtare të Jugosllavisë drejt fitorjes së sigurt drejt realizimit të idealeve tona.

Komitetit krahinor i Kosmetit nën terrorin e okupatorit dhe të tradhtarëve të popujve të Kosmetit po e vazhdon heroikisht luftën kundra okupatorit, me sakrifica e gjak, por kurdoherë me vullnetin e çeliktë që karakterizon udhëheqësit e Partisë Komuniste, me bindje të plotë në fitorjen.

Në këtë luftë antifashiste, popuj e kombe po vëllazërohen, po lidhen me gjak në një luftë të përbashkët kundra të njëjtit armik. Populli i jonë shqiptar, më tepër se kurrë e ndjen veten të lidhur ngushtë me popujt heroikë të Jugosllavisë.

Partia komuniste shqiptare që ndjek me admirim fitorjet e shkëlqyera të motrës së saj, Partisë komuniste jugosllave, po bën çmos që vëllazërimin në mes popullit tonë dhe popujve të Jugosllavisë të bëhet i plotë dhe lufta që bëjnë këta popuj të bëhet më e ashpër dhe më vendimtare kundra nazizmit.

Komiteti qendror i partisë sonë duke parë vështirësitë e mëdha që has në këtë luftë komiteti krahinor i Kosmetit, vendosi t’i çojë atij komiteti shumën prej 100 mijë franga shqiptare, e cila të shërbejë në përmbushjen më urgjente të nevojave të luftës.

Po të ishin në rregull komunikacionet dhe lidhjet e jona me ju, jemi në gjendje t’ju furnizojmë edhe me material propagandistik dhe sende të tjera që mjerisht juve ju mungojnë si: boja, letra, dylli e ndonjë gjë poligrafe. Për këtë shkak ne do të përpiqemi që të gjejmë mënyrën që kjo lidhje të bëhet sa më e rregullt, po ju rekomandojmë edhe ju që të përpiqeni në të drejtim.

Gjithashtu, po ju çoj edhe 5 mijë franga shqiptare të tjera, të cilat t’ju dorëzohen nënës së shokut Miladin 2 mijë franga dhe gruas së shokut Dushan 3 mijë franga. Këtë ndihmë po e çon partia e jonë familjeve të shokëve të lartpërmendur.

Të fala të përzemërta shoqërore

Vdekje fashizmit, liri popullit!

Për komitetin qendror të Partisë Komuniste

Shpati