Lumezi: Korrupsioni në Kosovë është realitet e jo perceptim

Lumezi: Korrupsioni në Kosovë është realitet e jo perceptim

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), tha se korrupsioni në Kosovë është një realitet e jo perceptim.

Një deklarim të tillë, Lumezi e dha pasi që anëtarja e Komisionit Mbikëqyrës për zbatimin e planit strategjik dhe planit të veprimit për luftimin e korrupsioni dhe krimeve ekonomike, Laura Pula, paraqiti raportin vjetor të këtij komisioni për vitin 2018.

“Po thonë që ka më shumë korrupsion se sa po hetohet, a është kjo percepsion apo realitet ? Unë mendoj që është realitet, çdo ditë shohim në portale dhe gazeta për korrupsion në nivel të lartë. Gjatë vitit që lamë pas PSKR ka përfunduar nëntë raste të korrupsionit, pesë prej tyre me aktakuzë. A është kjo e mjaftueshme kur dihet se aty janë 15 prokuror ? Duhet të rritet mbikëqyrja edhe nga ana e kryeprokurorëve”, deklaroi Lumezi.

Lumezi tha se është e vërtetë që është punuar mjaft pasi që gjatë vitit 2018, 408 raste të korrupsionit dhe 438 raste në krime ekonomike janë kryer, ndërsa duke bërë një krahasim me fundin e vitit 2015, ku tha se kanë qenë mbi 46 mijë lëndë të pakryera, sot ky numër, siç tha Lumezi është 14 mijë e 280 lëndë.

Mirëpo, kryeprokurori ngriti pyetjen se a janë duke punuar prokurorët edhe në mënyrë kualitative apo vetëm për kuantitet, pasi siç tha, vetëm vitin e kaluar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, 51 % të rasteve të korrupsionit janë pushuar hetimet, 21 % janë hudhur poshtë, kurse pjesa tjetër ka përfunduar me aktakuzë.

Lidhur me këtë, Lumezi tha se duhet të dihet se a është duke u bërë punë e dobët nga ana e policisë të cilët po dërgojnë kallëzime penale pa prova të mjaftueshme apo se ku qëndron problemi. Edhe në rastet kur nxjerrën aktvendimet për fillim të hetimeve nga ana e prokurorit, Lumezi tha se përqindja prej 51 % e pushimit të hetimeve është numër i madh.

“Duhet që prokurorët t’i trajtojnë rastet shumë më mirë, shumë më profesional dhe në mënyrë më pro aktive”, tha Lumezi.

Kryeprokurori Lumezi pati edhe një rekomandim për anëtaren e komisionit, Laura Pula, nga e cila kërkoi që të bëhet edhe profilizimi i lëndëve të cilave duhet t’u jepet rëndësi dhe pastaj si komision të kërkojnë llogari nga ata prokuror se si janë trajtuar lëndët në fjalë.

Sa i përket zgjidhjes së rasteve të krimeve ekonomike, Lumezi tha se sipas statistikave individuale shihet se asnjë prokuror nuk e ka arritur normën prej 47 lëndëve që ishin dashur t’i kryejnë brenda vitit, duke thënë se ka prokuror që ka kryer vetëm 13 lënde të tilla.

Lidhur me mos suksesin e luftës kundër korrupsionit, Lumezi tha se është diskutuar në forume të ndryshme ndërkombëtare edhe mundësia e krijimit të një gjykate ndërkombëtare, e cila do të trajnonte këto raste për gjithë rajonin e Ballkanit.

Lumezi ngriti po ashtu edhe çështjen e sekuestrimit dhe ngrirjes së pasurisë së fituar me vepër penale, për të cilat tha se gjendja nuk është e mirë dhe rastet kur ka ngrirje të pasurisë mund të llogariten në gishta. Për këtë arsye, Lumezi kërkoi punë më të madhe nga prokurorët në këtë drejtim pasi siç tha, shoqëria duhet të kompensohet për dëmet që i bëhen nga kryesit e veprave penale.

Kryeprokurori ngriti edhe një çështje tjetër, lidhur me konfiskimin e pasurisë së një zyrtari tashmë të dënuar, e për të cilën pasuri Lumezi tha se gjendet në Mal të Zi dhe e njëjta nuk është arritur të kthehet në Kosovë.

Për këtë arsye, Lumezi tha se ndoshta duhet të kërkohet edhe nga Qeveria e Kosovës që të diskutojë për këtë çështje me Qeverinë e Malit të Zi që të arrijnë marrëveshje për këtë fushë.

Në fund të fjalës së tij, Lumezi tha se duhet të rritet bashkëpunimi me Policinë që të mos lejohet që asnjë rast të mbyllet me raport të veçantë pa autorizim të prokurorit.

Fjalës së kryeprokurorit i parapriu prezantimi i raportit vjetor për vitin 2018, i komisionit mbikëqyrës për zbatimin e planit strategjik dhe planit të veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike nga anëtarja e komisionit Laura Pula.

Siç tha Pula, raporti në fjalë është paraqitur për tërë Kosovën si dhe me theks të veçantë për punën e Departamentit të Krimeve të rënda dhe atij të Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në fjalën e saj, Pula paraqiti të dhëna statistikore të zgjidhjes së kallëzimeve penale nga ana e prokurorëve, ku tha se në fillim të vitit 2018, për rastet e korrupsionit kishin qenë 303 kallëzime, me 707 persona ndërsa gjatë vitit 2018, ishin pranuar edhe 325 kallëzime me 772 persona, e që gjithsej tha se janë zgjidhur 407 kallëzime, kurse të pa kryera kishin mbetur 280.

Sipas këtyre statistikave, Pula tha se efikasiteti i prokurorëve del të jetë 125.54 %.

Sa i përket mënyrës së zgjidhjeve të këtyre lëndëve, Pula tha se 33 % kishin përfunduar me aktakuza, 60 % me hudhje dhe 4 % në mënyra tjera.

Sa i përket krimeve ekonomike, Pula tha se në periudhën raportuese ngarkesa më lëndë është zvogëluar për 6.40 %.

Duke prezantuar punën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Pula tha se gjatë vitit 2018, nga 311 kallëzime penale për raste të korrupsionit, në 50 % të rasteve ishin pushuar hetimet, 21 % ishin hudhur, kurse pjesa tjetër ishte ngritur aktakuzë.

Në raport, Pula tha se janë përfshirë gjithsej 14 prokuror, mirëpo për shkak të lëvizjes së prokurorëve dhe avancimet të disa prej tyre, Pula tha se jo të gjithë prokurorët e përfshirë janë ende aktiv.

Si konstatime të komisionit, Laura Pula tha se kanë qenë zvogëlimi i lëndëve dhe rritja e efikasitetit të punës, e ku siç tha është arritur sukses pasi në fund të vitit 2015, kallëzime penale të korrupsionit kishin qenë 438, kurse në fund të vitit 2018, kishin mbetur vetëm 230 kallëzime penale.

Po ashtu, rënie Pula tha se ka edhe në rastet e krimeve ekonomike, ku nga 585 kallëzime të pakryera në fund të vitit 2015, fundi i vitit 2018 kishte pasur 315.

Sa i përket rritjes së efikasitetit, Pula tha se niveli i zgjidhjes së rasteve të korrupsionit ka pasur rënie në nivelin numerik për tri vitet e fundit.

Në fund, Pula i propozoi këshillit që raportin në fjalë ta miratojë pa rekomandime pasi siç tha, rekomandimet në fjalë kanë qenë për draftin strategjik, i cili u miratua më herët gjatë mbledhjes së mërkurës.

E lidhur me raportin e prezantuar, kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni tha se është konstatim i përgjithshëm se gjendja është më e mirë se sa ka qenë, në nivel vendi, pasi që siç tha se sirtarët e prokurorëve nuk janë të mbushura më me lëndë.

Hyseni kërkoi që të merren shembull disa prokurori të cilat nuk i tha me emër, e të cilat nga 5000 lëndë sa i kanë pasur në punë, tashmë kanë vetëm 500, kurse vendimet fajësuese në raste e kryera, Hyseni tha se kishin qenë 90 % aktgjykime fajësuese.

Sa i përket mos përmbushjes së normës që u përmend si fakt nga kryeprokurori Lumezi, Hyseni tha se një gjë e tillë duhet të merret me shqetësim nga ana e komisionit për vlerësim të përformancës.

Pas diskutimeve, raporti i prezantuar nga Laura Pula, u votua njëzëri pa i përfshirë rekomandimet. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi