Ish-drejtoresha e QMGF-së dënohet me gjobë pasi pranon fajësinë

Ish-drejtoresha e QMGF-së dënohet me gjobë pasi pranon fajësinë

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, ish-drejtoresha ekzekutive në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve (QMGF), Naime Sherifi është dënuar me 3000 euro gjobë, për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Gjykatësi Hamdi Ibrahimi, me shpalljen e aktgjykimit ka bërë të ditur se e akuzuara Sherifi dënohet me 150 ditë burg, por që ky dënim zëvendësohet me gjobë në shumë prej 3000 euro, me pëlqim e të akuzuarës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo akuzohej se pa autorizim të punëtores sociale në QMGF, Xhevë Veselaj-Osmani, ka vënë nënshkrimin në emër të saj në raportin final që lidhet me marrëveshje të datës 1 shtator 2014, shkresë zyrtare që ka të bëjë me përfitimin e donacioneve nga Ambasada Gjermane.

Gjykatësi Ibrahimi ka thënë se pagesën e gjobës e akuzuara duhet ta bëjë në tre këste, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Nëse nuk bëhet pagesa e gjobës, atëherë gjykatësi ka njoftuar të akuzuarën se do të bëhet ekzekutimi i dënimit me burg.

Ajo është obliguar që të paguajë 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro për viktima të krimit.

Gjykatësi Ibrahimi ka thënë se kjo çështje është karakteristike, pasi ka të bëjë me falsifikim të dokumentit zyrtar, ku me këtë veprim e akuzuara ka rënduar autoritetin e vendit në raport me donatorët e jashtëm, respektivisht në këtë rast Ambasadën Gjermane.

Paraprakisht, para shpalljes së aktgjykimit është mbajtur seanca dëgjimore lidhur me marrëveshjen e pranimit të fajësisë të lidhur që e akuzuara e kishte lidhur me Prokurorinë, më 20 shkurt 2019.

E akuzuara ka thënë se e pranon marrëveshjen, kurse mbrojtësi i saj Samedin Cena ka thënë se konsiderojnë se e njëjta është nënshkruar me vullnet të plotë nga e akuzuara.

“Pala ka shprehur vullnet për lidhjen e kësaj marrëveshje duke e konsideruar si të favorshme”, ka thënë ai.

Prokurori Rafet Halimi ka thënë se është arritur marrëveshje për burgim prej 150 ditësh dhe se gjykatës i kanë rekomanduar që të shndërrohet në dënim me gjobë prej  2000 deri në 3000 euro.

Avokati Cena, ka thënë se konsiderojnë se është e arsyeshme që dënimit të shndërrohet me gjobë.

Ai ka thënë se duke pasur parasysh se e akuzuara është e papunë, i propozojnë gjykatës që t’i mundësohet që dënimin ta paguajë me këste.

E akuzuara ka kërkuar që t’i mundësohet pagesa e dënimit me 10 këste.

E me shpalljen e aktgjykimit, gjykatësi Ibrahimi ka thënë se kërkesa për këste është aprovuar, por jo më shumë se tre këste.

“Ka mundësi që të bëhet me më shumë këste, por në rrethana të jashtëzakonshme kur nuk kanë të ardhura aspak”, ka thënë ai.

Ndryshe, në fillim të seancës dëgjimore, avokati Cena ka bërë të ditur se me ftesë nuk u është dorëzuar aktakuza.

Gjykatësi Ibrahimi ka thënë se nuk ka njohuri se pse ka ndodhur një gjë e tillë dhe i ka pajisur të akuzuarën e mbrojtësin e tij me kopje të aktakuzës dhe marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 shkurt 2019, më 1 shtator 2014, e pandehura si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e saj duke falsifikuar dokumentin zyrtar.

Sipas aktit akuzues, pa autorizim të punëtores sociale në QMGF, Xhevë Veselaj Osmani, ka vënë nënshkrimin në emër të saj në raportin final që lidhet me marrëveshje të datës 1 shtator 2014, shkresë zyrtare që ka të bëj me përfitimin e donacioneve nga Ambasada Gjermane. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi