Rigjykimi për tentim vrasjen e vitit 2007, i akuzuari sërish dënohet

Rigjykimi për tentim vrasjen e vitit 2007, i akuzuari sërish dënohet

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, e ka dënuar me dy vjet burgim efektiv të akuzuarin për vrasje në tentativë, Driton Mehmeti.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti, dënimi me burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në kuadër të këtij aktgjykimi, gjykatësi Mehmeti, njoftoi se është aprovuar pjesërisht kërkesa pasurore juridike e të dëmtuarit Sabi Hasani, ashtu që i akuzuari Driton Mehmeti, është obliguar që emër të kompensimit të paguajë shumën prej 1,700 euro.

Po ashtu, ndaj të akuzuarit Mehmeti, është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i përhershëm i armës, e cila është përdorur për kryerjen e veprës penale.

Në fund, gjykatësi Mehmeti, njoftoi mbrojtësin e të akuzuarit Driton Mehmeti, avokatin Gani Rexha, se kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

Paraprakisht, Driton Mehmeti nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 20 nëntor 2018,  është dënuar me dy vjet burgim për veprën penale të vrasjes në tentativë, ndërkaq për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte refuzuar akuza pasi që prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Mirëpo, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 24 janar 2019, ku sipas vendimit të kësaj Gjykate, thuhet se pas shqyrtimit të aktgjykimit të ankimuar, sipas pretendimeve të mbrojtësit të të akuzuarit është gjetur se aktgjykimi në fjalë përmban shkelje esenciale të dispozitave penale nga neni 384 dhe 370 të KPPK-së.

Bazuar në këtë vendim, dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë është kundërthënës me arsyetimin e aktgjykimit dhe me përmbajtjen e shkresave të lëndës,  ngase siç thuhet në këtë vendim nuk janë paraqitur arsyet mbi faktet vendimtare.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 5 maj 2008, Driton Mehmeti, po akuzohej se më 29 tetor 2007, para dyerve të oborrit të tij në fshatin Pantinë të Komunës së Vushtrrisë, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin, Sabri Hasani.

Bazuar në aktakuzë, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që një ditë më parë, i dëmtuari ka dalë për të gërryer një kanal të ujërave të zeza, i cili shtrihej në kufirin në mes të pronës së të dëmtuarit dhe të akuzuarit, me ç’rast i akuzuari së bashku me babanë e tij, këtë e kanë raportuar në polici dhe me urdhër të policisë i është ndërprerë puna të dëmtuarit.

Lidhur me këtë, siç thuhet në aktakuzë, më 29 tetor 2007, përderisa i dëmtuari ka qenë duke kaluar pranë shtëpisë së të akuzuarit, i akuzuari i është drejtuar më fjalët “ku je ti o frajer”, kurse i dëmtuari i përgjigjet “ec more hyn brenda”, ku pas kësaj i pandehuri duke iu drejtuar të dëmtuarit i thotë “tash ko me ta q** atë n**” dhe menjëherë pas kësaj, nga brezi i tij, nxjerr revolen dhe shtie pesë herë në të dëmtuarin.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se nga pesë të shtënat, dy prej tyre e godasin të dëmtuarin, i cili në këtë rast pëson plagë mbi gjurin e këmbës së majtë dhe në gjurin e këmbës së djathtë.

Me këtë, i akuzuari Mehmeti, ngarkohej për kryerjen e veprës penale “vrasje në tentativë”, nga neni 146 lidhur me nenin 20 të Kodit Penal të Kosovës.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi