Mungon njëri nga të akuzuarit, dështon gjykimi për rrezikim të trafikut

Mungon njëri nga të akuzuarit, dështon gjykimi për rrezikim të trafikut

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, e paraparë për të premten, ndaj të akuzuarve për rrezikim të trafikut publik, Arbër Demaku dhe Kastriot Kastrati.

Shkak i mos mbajtjes së seancës, ka qenë mungesa e të akuzuarit Arbër Demaku, për të cilin gjykatësi Njazi Morina, ka thënë se sipas parashtresës së stacionit policor në Malishevë, i njëjti gjendet me banim të përkohshëm në Slloveni.

Mirëpo, në seancë ka prezantuar prindi i të akuzuarit Demaku, i cili deklaroi se djali i tij do të jetë në Kosovë brenda një muaji, dhe mund të prezantojë në seancën e radhës.

Kurse, i pandehuri tjetër Kastriot Kastrati ka qenë prezentë në seancë, bashkë me mbrojtësin  e tij, avokatin Bajram Lajqi, të cilët janë njoftuar nga gjykata në mënyrë verbale për seancën e radhës, e cila është caktuar të mbahet më 26 prill 2019, në ora 10:50.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 3 maj 2017, të akuzuarit, Arbër Demaku dhe Kastriot Kastrati, akuzohen se kanë kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378, paragraf 7, lidhur me paragrafin 6, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të parë në aktakuzë thuhet se i akuzuari, Arbër Demaku, më 17 korrik 2016, rreth orës 10:00, në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, në fshatin Kijevë, Komuna e Malishevës, rrezikon trafikun publik, duke shkelur nenin 13 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Në dispozitivin e parë thuhet se i akuzuari Demaku, duke drejtuar automjetin e markës “VW Golf”, pikërisht në udhëkryqin Prishtinë-Pejë, në Kijevë, nuk respekton shenjat e trafikut horizontal dhe vertikal, dhe shenjën  e trafikut “stop”, ashtu që pa u siguruar mirë kyqet në rrugë, dhe kalon nga shiriti i djathtë në anën e majtë të rrugës kryesore duke e goditur automjetin e markës “Mercedes”, dhe si pasojë e kësaj e humb kontrollin me çka shkaktohet aksident zingjiror, me dëme materiale të pavërtetuara si dhe lëndime të përshkruara më hollësisht në ekspertizën mjekoligjore.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës thuhet se i akuzuari Kastriot Kastrati, në kohë dhe vend të njëjtë sikur në dispozitivin e parë, duke drejtuar automjetin e markës “Mercedes”, dhe duke lëvizur me shpejtësi të madhe prej 81 km/h, nuk i përshtatet kushteve të rrugës, dhe më të arritur në fshatin Kijevë, kalon nga shiriti i djathtë në të majtë, meqë rast goditet me pjesën ballore të automjetit  të të akuzuarit Demaku.

Në dispozitivin e dytë thuhet se i akuzuari Kastrati, pas goditjes, humbë kontrollin mbi automjetin e tij, duke e goditur më pas automjetin e markës “Mercedes E22”, dhe kjo veturë nga inercioni i marrë e godet më pastaj veturën “VW Cadyy”, duke shkaktuar dëme materiale të pavërtetuara si dhe lëndime të përshkruara më hollësisht në ekspertizën mjekoligjore.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi