Marrëveshje Kosovë Serbi, vështirë e arritshme gjatë këtij viti

Marrëveshje Kosovë Serbi, vështirë e arritshme gjatë këtij viti

Arritja e një marrëveshje Kosovë Serbi, mund të jetë vështirë e arritshme gjatë këtij viti. Vehbi Kosumi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, në një intervistë për Radio Kosovën, shprehet skeptik se ky vit mund të sjellë rezultate nga dialogu. Ai gjithashtu thotë se Serbia her do kur do ta njeh pavarësinë e Kosovës. Por, sipas tij, një gjë e tillë është vështirë të parashikohet tani për tani.

Radio Kosova: Z.Kosumi, nga presidenti Hashim Thaçi është paralajmëruar që brenda këtij viti mund të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Sa janë gjasat që sivjet të kemi një marrëveshje të tillë?

Vehbi Kosumi: Gjasat që një marrëveshje përfundimtare të arrihet mes Serbisë dhe Kosovës deri në fund të vitit 2019, janë mjaft të vogla. Kjo ndodh për arsye se së pari Kosova nuk flet me një zë në lidhje me marrëveshjen gjithëpërfshirëse, së dyti për shkak të zgjedhjeve të Bashkimit Evropian në fund të majit dhe konsolidimi në Bashkimin Evropian i liderëve në postet e reja. Në anën tjetër është një ngutje nga Administrata e SHBA-së për zgjidhjen e problemit të Kosovës para zgjedhjeve atje. Duhet të pranojmë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka bërë disa lëvizje jo të zakonshme, siç është takim me Kim Jong-Un, përfundimi i luftës në Siri dhe njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit si dhe pranimi i sovranitetit të Izraelit mbi Golan Hights (lartësinë e Golanit). Kështu që administrata amerikane duket se bënë një trysni mbi Serbinë dhe sidomos mbi Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje.

 

Radio Kosova: Nga muaji maj në BE do të kemi zgjedhje të reja. A mund ta zvarrisë kjo edhe më tepër procesion e dialogut?

Vehbi Kosumi: Zgjedhjet e reja në BE nuk e vështirësojnë procesin e dialogut, sepse edhe ashtu dialogu i udhëhequr nga Federika Mogherini nuk ka dhënë ndonjë rezultat të dukshëm. Edhe pse zgjedhjet nuk e vështirësojnë dialogun, ato mund ta prolongojnë atë, dhe siç thashë më parë, nuk pritet ndonjë marrëveshje përfundimtare që do të jepte rezultatin e anëtarësimit të Kosovës në OKB.

 

Radio Kosova: Kur jemi te zgjedhjet në BE, një përbërje e re që do të vijë pas zgjedhjeve në krye të Bashkimit Evropian, a mund të ndodhë që të kemi një zhvendosje të vëmendjes sa i përket çështjes së Kosovës, në veçanti për përshpejtimin e përmbylljes së procesit të dialogut?  

Vehbi Kosumi: Bashkimi Evropian ka një përfaqësues të lartë për punë të jashtme, që luan rolin e ministrit të jashtëm, dhe një ndër angazhimet kryesore të ministrit të jashtëm është edhe afrimi i Ballkanit Perëndimor dhe aderimi eventual në Bashkimin Evropian. Në Evropë, në këtë moment, Bashkimi Evropian është i fokusuar në gjetjen e zgjidhjes të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja dhe gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për një Brex-it të implementueshem. Nëse negociatat për Brex-it zgjasin edhe pas 12 prillit apo 22 majit, që është dita përfundimtare për zgjidhjen e një ngërçi të shkaktuar nga Mbretëria e Bashkuar, atëherë vëmendja në Evropë do kthehet te Ballkani Perëndimor dhe te marrëveshja përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

 

Radio Kosova: Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, e ka ndërmjetësuar procesin e dialogut që nga ardhja e saj në BE. Ajo tani po e përfundon mandatin e saj pa ndonjë rezultat konkret në çështjen e dialogut. Sipas jush, sa ka qenë e suksesshme Mogherini në lehtësimin e dialogut ndërmjet dy palëve?

Vehbi Kosumi: Përfaqësuesja e mëparshme e BE-së, Catherine Ashton, ka arritur që në vitin 2013 të ketë firmën e dy kryeministrave, të Kosovës dhe atij të Serbisë, në “Marrëveshjen e parë të principit të qeverisjes dhe normalizimit të marrëdhënieve”. Si rezultat i kësaj, Serbët e veriut u integruan në sistemin qeveritar të Kosovës dhe marrin pjesë në zgjedhje lokale dhe qendrore, edhe pse përfshirja në zgjedhje e serbëve përmes “Srbska Lista” (Listës Serbe) është vetëm një dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë. Mogherini nuk pati ndonjë rezultat të dukshëm nga dialogu i pafrytshëm edhe pse në princip BE-ja e lehtëson   dialogun. Për shkak të rezultateve të pakënaqshme, kemi edhe reagimin e saj të ashpër në lidhje me taksen 100% që Qeveria e Kosovës i vendosi ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pasi që ajo po e sheh se përfundimi i mandatit të saj vjen pa ndonjë rezultat në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.

 

Radio Kosova: Ka një kohë që dialogu është ngrirë nga ana e Serbisë, për shkak të taksës së vendosur ndaj produkteve serbe nga Qeveria e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar. A konsideroni se taksa vërtet është shkaktar i ngrirjes së këtij procesi apo janë vetëm arsyetime të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, vetëm sa për ta neglizhuar këtë proces?

Vehbi Kosumi: Taksa është shkaktari kryesor i ngrirjes së dialogut, pasi që Serbia është një ndër eksportuesit kryesor në Kosovë dhe taksa ka efekt negativ në ekonominë e Serbisë. Ky nuk është vetëm ndonjë arsyetim për ngrirje të procesit të dialogut, pasi që Serbisë, aq sa Kosovës, i intereson të ketë një zgjidhje afatgjate. Serbia ngec në lëvizjen e saj në drejtim të aderimit në BE pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kështu që Kosova me taksen që është në fuqi, ka një fuqizim në procesin e dialogut, dhe për atë Serbia kërkon që ajo fuqi që e ka Kosova, t’i hiqet e pastaj të vazhdojë dialogu.

 

Radio Kosova: Në Kosovë tashmë kemi një ekip shtetëror për bisedime me Serbinë, i cili e ka hartuar edhe platformën për bisedime që është miratuar edhe në Kuvend. Sipas jush, sa është e zbatueshme një platformë e tillë më këto negociata?  

Vehbi Kosumi: Së pari është mirë që një ekip negociator të ketë një platformë si pikënisje në dialog dhe ajo platformë është aprovuar në Kuvend pa pëlqimin e dy partive opozitare. Mirëpo, si platformë është e mirë dhe cakton pozitën fillestare të Kosovës. Në negociata gjithmonë është situata “merr dhe jep”. Kosova qysh në ditën e parë duhet të ketë një pikë, pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në asnjë çast, ky synim të mos anashkalohet. Pastaj të negociohet dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse të sillet në Kuvend për aprovim.

 

Radio Kosova: Presidenti Hashim Thaçi e ka ngritur si çështje korrigjimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, që, sipas tij, një korrigjim i tillë, do t`ia bashkonte Kosovës tri komunat shqiptare që ndodhen në territorin e Serbisë. Sa ka gjasa që të ndodhë një gjë e tillë?

 

Vehbi Kosumi: Në të drejtën ndërkombëtare ka një princip i quajtur “UTI POSEDITIS JURIS”, që konsiderohet si princip i aplikueshëm. Në bazë të “UTI POSEDITIS” është që kufijtë e brendshëm administrativ të një vendi ruhen kur ai vend bëhet i pavarur. Këtë e ka aplikuar Komisioni i Badinterit kur i ka dhënë dritën e gjelbër ish republikave jugosllave për pavarësi dhe se kufijtë administrativë aplikohen dhe janë të pandryshueshëm. Unë isha i pranishëm në Samitin e Diasporës në shkurt/mars të këtij viti dhe presidenti Hashim Thaçi deklaroi: “Nuk do të këtë shkëmbim territoresh dhe asnjë cep i territorit të Kosovës nuk jepet para se të kalojë mbi trupin tim të vdekur. Mirëpo, do të ketë korrigjim të territoreve dhe në kërkojmë bashkimin e Preshevës me Kosovën’. Së pari duhet të shkojmë mbrapa në vitet 1950, kur u bë shkëmbimi i territoreve administrative dhe pjesë nga Lugina e Preshevës kaluan nga Kosova nën kontrollin administrativ të Serbisë, si dhe Zveçani dhe Leposaviqi iu bashkuan territorit administrativ të Kosovës. Shkëmbimi prapa i këtyre territoreve apo korrigjimi i kufijve duket i logjikshëm, mirëpo, në shekullin XXI, në kohen e globalizimit, nuk ndryshohen territoret për të krijuar shtete të pastra etnike.  Nëse shkëmbimi bëhet pa humbjen e Liqenit të Ujmanit, pa humbjen e Trepçës dhe pa humbjen e Mitrovicës, kjo edhe mund të jetë një gjë e efektshme. Mirëpo, duhet të theksojmë se Gjermania fuqishëm e kundërshton shkëmbimin e territoreve, pasi që mund të krijojë domino efekt me aspiratat e Republika Srbska në Bosnje për bashkimin me Serbinë. Në anën tjetër, duket se SHBA-ja nuk e kundërshton shkëmbimin e territoreve dhe ka mundësi që administrata amerikane ka dhenë një shkëndijë që kjo është e pranueshme.

 

Radio Kosova: Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj, publikisht ka thënë se në këmbim të njohjes po kërkohet që Serbisë t`ia falim do tokë, duke e vënë theksin te pjesa veriore e Kosovës. Si i komentoni këto deklarata të kryeministrit Haradinaj?

Vehbi Kosumi: Politika shqiptare nuk flet me një zë dhe kryeministri frikësohet që në hapjen e korrigjimit të territoreve, Kosova do të humbë. Duhet të kuptojmë se diplomacia serbe në shume aspekte është me e fortë se sa diplomacia e Kosovës dhe në hapjen e bisedimeve për shkëmbim territoresh (apo korrigjim siç e quan presidenti), është e mundur që Serbia të përfitojë më shumë. Çështja e shkëmbimit të territoreve nuk është një çështje politike por një çështje kombëtare, pasi që asnjë individ, përveçse Kuvendit të Kosovës dhe shtetasve të Kosovës, nuk mund të marrin një vendim. Kundërshtimet e presidentit dhe kryeministrit në lidhje me këtë çështje, nuk i konsideroj në asnjë moment politike, por kundërshtime që vendimet që merren do të kenë një efekt në tërë popullsinë e Kosovës së paku në shekullin XXI. Kosova ka kaluar nëpër sfida të ndryshme dhe të kthehemi sot e 20 vjet prapa shohim se ku ishim dhe ku jemi. Ne mars të 1999 ndërhyri NATO dhe çliroi Kosovën, në qershor, pastaj me Rezolutë të Kombeve të Bashkuara u instalua Administrata e UNMIKU-ut. Kosova shpalli pavarësi në vitin 2008, Gjyqi Ndërkombëtar, në vitin 2010 në Opinionin Këshillues, vendosi që akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Kosova deri në mars te vitit 2014 ishte e njohur nga 107 shtete. Nga 2014-ta deri sot kemi aty diku 9 ose 10 njohje, që janë shumë pak, duke sjell numrin tek 116-117 njohje.

 

Radio Kosova: Dhe për fund, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ekipi shtetëror në bisedime me Serbinë theksojnë se dialogu do të përmbyllet me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Sa ka gjasa që Serbia vërtet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran?

Vehbi Kosumi: Qëllimi i Kosovës është pranimi si anëtarë i plotë në Kombet e Bashkuara dhe Serbia do ta pranojë Kosovën një ditë si shtet të pavarur. Por, pyetja kryesore është se kur do të ndodhë kjo? Dhe, kjo është me e vështirë të parashikohet.  

Intervistoi: Pajazit Krasniqi

 


MË SHUME NGA Intervista