Rikualifikohet vepra penale, hudhet aktakuza ndaj rojës në Miniera

Rikualifikohet vepra penale, hudhet aktakuza ndaj rojës në Miniera

Pasi prokurori Feti Tunuzliu, ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga përvetësimi në detyrë në keqpërdorim të besimit në gjykimin ndaj rojës së sigurimit në minierat Kishnicë dhe Novobërdë, Milazim Bytyqi, Gjykata Themelore në Prishtinë ka hudhur aktakuzën për shkak të parashkrimit absolut.

Lidhur me aktakuzën që ishte ngritur në vitin 2017, prokurori Tunuzliu, në seancën e së enjtes ka thënë se ka bërë precizimin dhe plotësimin e dispozitivit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ashtu që në rreshtin e dytë pas fjalës “mëngjesit”, fshij fjalën “si person zyrtar” dhe shtoj fjalën “gjatë kujdesit për interesat pasurore të palës së dëmtuar Miniera Kishnicë dhe Novobërdë në vendin e quajtur Badovc të Komunës së Graçanicës”, ka thënë ai.

E pastaj ka thënë se ka bërë edhe ri cilësimin e veprës penale nga vepra për të cilën akuzohet në aktin akuzues i pandehuri në “keqpërdorim i besimit”.

Kryetari i trupit gjykues, Naser Foniqi, ka pyetur prokurorin se a qëndron pas ndjekjes penale akoma.

“Unë mbes, ju keni të drejtë me hudh”, ka thënë prokurori Tunuzliu.

Më pas gjykata sërish ka kërkuar mendimin e prokurorit se a qëndron akoma pranë ndjekjes penale apo ka ndonjë mendim tjetër.

“Duke pasur parasysh se pas ri kualifikimit të veprës penale nga prokurori i shtetit, vërejmë se me veprën penale “keqpërdorim i besimit” nga neni 342 ,paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 parashihet dënim prej 6 muaj deri në 5 vjet”, ka thënë gjykatësi Foniqi.

Sipas tij, në rastin konkret vepra penale për të cilën është akuzuar Milazim Bytyqi është kryer më 21 shtator 2006, ka kaluar dyfishi i kohës së parashkrimit relativ përkatësisht parashkrimi absolut.

“Unë nuk e di nga kjo e drejtë që me kërku mendim prej prokurorit çka me bo. Unë në shqyrtimin gjyqësor e bëra ri cilësimin, punën teme e kam bo. Pjesa tjetër i mbetet gjykatës”, ka thënë prokurori Tunuzliu.

Ndërsa, avokati Avni Gjakova ka thënë se edhe me kualifikimin e mëhershëm të veprës penale, në bazë të provave, kishte propozuar që të bëhet ekspertiza financiare me qëllim që të vije te ky kualifikim.

“Prandaj, propozoj që aktakuza të hudhet për shkak të parashkrimit absolut”, ka thënë ai.

Kurse, trupi gjykues, më pas ka marr aktvendim me anë të së cilit ka aprovuar propozimin e mbrojtësit për hudhje të akuzës për shkak të arritjes së parashkrimit absolut.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Naser Foniqi, duke pasur parasysh kryerjen e veprës penale, parashkrimi është arritur më 21 shtator 2016.

Ai ka thënë se do të merret aktvendim i vecantë dhe pala e dëmtuar do të udhëzohet në kontest civil.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, më 12 qershor 2007 Milazim Bytyqi, më 21 shtator 2006, gjatë ndërrimit në vendin e tij të punës si roje e sigurimit, si person zyrtar, ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar në bazë të detyrës që të sigurojë pasurinë e personit juridik dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, gjatë tërë natës ka arritur që të marrë sasinë e kabllos në shumë prej 450 metrash, në vlerë prej 14.400 euro.

Prokuroria pretendon se kjo sasi e rrymës, ka qenë e vendosur në “Makare” dhe të njëjtën e ka larguar nga depoja, duke e dërguar në një pyll, ndërsa atë ditë rreth orës 18:40, ishte zënë në flagrancë duke marrë 10 kabllo të rrymës së shkurtër prej 2-3 metra nga komandanti i rojës dhe zëvendësi i tij, Bilall Makolli dhe Fejzë Gashi. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi