Dy policët lirohen nga akuza se liruan veturën e pazhdoganuar

Dy policët lirohen nga akuza se liruan veturën e pazhdoganuar

Gjykata Themelore e Prizrenit, i ka liruar nga akuza dy zyrtarët policorë, Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Tafolli dhe Krasniqi, akuzoheshin se e kanë liruar një veturë të vetaksidentuar, megjithëse ajo ka rezultuar e pazhdoganuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimin ndaj tyre e ka shpallur gjykatësja, Ajser Skenderi, në seancën e së mërkurës, duke thënë se gjykata nuk ka gjetur prova se ata e kanë kryer veprën në fjalë.

Ndryshe, ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 26 shkurt 2018, me të cilën të pandehurit akuzohen se duke vepruar në cilësinë e zyrtarëve policorë, më 12 shtator 2017, kanë liruar një veturë të vetaksidentuar,  megjithëse e njëjta ka rezultuar e pazhdoganuar.

Sipas aktakuzës, në automjetin e liruar nga të pandehurit kanë qenë të vendosura tabelat e regjistrimit të një automjeti tjetër, andaj sipas organit të akuzës, ata është dashur ta dërgojnë automjetin në terminal doganor, e jo ta lirojnë.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi