Dështon gjykimi për keqpërdorim me paratë e mbledhura në emër të të sëmurit

Dështon gjykimi për keqpërdorim me paratë e mbledhura në emër të të sëmurit

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet gjykimi për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj punonjësit të Organizatës Jo Qeveritare “Shpëto jetë”, Xhavit Gashi.

Shkak i mos mbajtjes së kësaj seance, ka qenë mungesa e të akuzuarit Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkë me Gashin, si persona zyrtarë në këtë organizatë, janë akuzuar edhe Abedin Hysa dhe Bekim Hamiti, por pasi për ta kishte përfunduar gjykimi në vitin 2016, ishte veçuar procedura ndaj të akuzuarit Gashi dhe lënda e tij po gjykohet nga gjykatësja Violeta Namani.

Lënda ndaj tij, ishte veçuar për shkak se ai kishte qenë i paarritshëm për gjykatën.

Për të siguruar praninë e tij në seancën e së enjtes, ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, por, gjykatësja Violeta Namani ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” se nuk kanë asnjë informatë nga Stacioni Policor në Ferizaj lidhur me zbatimin e kësaj urdhërese.

Ajo ka thënë se e kanë njoftuar edhe prokuroren Besa Limani që i pandehuri nuk është sjell në gjykatë.

Ndryshe, më 23 dhjetor 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur fajtorë të bashkakuzuarin e Gashit, Abedin Hysën, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale në periudhë prej një viti.

Kurse, ndaj Bekim Hamitit ishte refuzuar akuza për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 mars 2014, të akuzuarit si persona zyrtarë të OJQ-së “Shpëto jetë”, duke shfrytëzuar detyrën kanë tejkaluar kompetencat me qëllim që të përfitojnë dobi materiale për vete.

Sipas akuzës që nga viti 2010-2011, i pandehuri Abedin Hysa në cilësi të përfaqësuesit të kësaj organizate, Bekim Hamiti në cilësi të drejtorit dhe Xhavit Gashi si i punësuar, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur dokumentacionin mjekësor dhe autorizimin e të dëmtuarit Habib Nuredini dhe në emër të fëmijës së tij që vuante nga një sëmundje e rëndë, G.N, kanë kërkuar të holla nga qytetarë  në vende të ndryshme të Kosovës si në Viti, Gjilan, Shtime, Ferizaj dhe Lipjan.

Akti akuzues thotë se prej 31 janar 2010, deri më 28 shkurt 2010, kjo shoqatë në emër të G.N ka realizuar mjete në shumë prej 8.030.46, ndërsa prej 1 mars 2010, deri më 31 mars 2010 në emër të dëmtuarit kanë grumbulluar 7.155.30 euro, ku shuma e përgjithshme për këtë periudhë është 15.185.76 euro dhe prej këtyre vetëm 4200 euro i janë dorëzuar të dëmtuarit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 15 mars 2010, në fshatin Gumnasellë, Komuna e Lipjanit, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Nuredini, të pandehurit Hysa dhe Hamiti, ia kanë ofruar të dëmtuarit faturën fiktive prej 3000 eurosh për ta nënshkruar, kinse se ka pranuar këtë shumë të të hollave.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Abedin Hysa e Bekim Hamiti janë arsyetuar te i dëmtuari se në automjetin e kësaj shoqate, në një autolarje në Lipjan ia kanë vjedhur faturat e shpenzimeve të shoqatës, ndërsa më 28 dhjetor 2011, Abedin Hysa dhe Xhavit Gashi me qëllim të përvetësimit material për vete kanë vazhduar në Suharekë që të mbledhin të holla në emër të G.N edhe pa autorizim të dëmtuarit Nuredini.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi