Ish-prokurori special kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit

Ish-prokurori special kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka përfunduar procedura civile në rastin ku ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Suad Kuraja, e ka paditur Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), duke kërkuar kompensimin e pagave pas daljes në pension, në shumë prej rreth gjashtë mijë euro.

Paditësi Kuraja, në seancën e së mërkurës, ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe kërkesëpadisë, i cili fjalën përfundimtare gjykatës ia ka dorëzuar me shkrim.

Ndërkohë, përfaqësuesi i KPK-së, Valdrin Krasniqi, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se qëndron pranë përgjegjës në padi të dorëzuar më 12 shkurt 2019.

Ai ka thënë se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar për arsye se njëjta i referohet Marrëveshjes Kolektive të paraparë me dispozitat e Ligjit të Punës dhe e cila sipas tij, nuk zbatohet në Prokurorinë e Shtetit.

Ai ka thënë se sipas ligjit, prokurorët nuk janë të organizuar në sindikata, por janë të organizuar vetëm në shoqërinë e prokurorëve të Kosovës dhe kjo nënkupton se Prokurori i Shtetit sipas tij, nuk është nënshkrues i Marrëveshjes Kolektive në të cilën bazohet kërkesëpadia.

Ai ka thënë se kundërshtimin e tij e mbështet edhe në aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, me anën e së cilit një kërkesë e njëjtë sikurse e paditësit Kuraja, është hedhur poshtë.

Pas fjalës përfundimtare të përfaqësuesit të paditurës, paditësi Kuraja, ka deklaruar se në Kosovë nuk vlen sistemi anglo-sankson, por ai evropian, dhe gjykatat janë të obliguara që të veprojnë vetëm sipas ligjeve të cilat janë  në fuqi  në Republikën e Kosovës.

Pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjygjëse, gjykatësi i rastit Dardan Kadolli, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje është e përfunduar, dhe palët me kohë do të njoftohen me aktgjykimin.

Ndryshe, sipas padis së ushtruar më 20 dhjetor 2017, ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Suad Kuraja, pas daljes në pasion po kërkon 5.835,73 euro, në emër të pagesës jubilare.

Sipas padisë, paditësi Kuraja, më 16 shkurt 2010, ishte emëruar si prokurorë i PSRK-së, dhe më  28 mars 2016, kishte dal në pension për shkak të arritjes së moshës së pensionimit.

Në padi pretendohet se paditësi, të paditurës i është drejtuar me kërkesë me shkrim më 1 dhjetor 2017, për kompensimin e tri pagave përcjellëse, mirëpo e paditura fare nuk ishte përgjigjur.

Me anën e padisë, paditësi Kuraja, kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesëpadia të aprovohen si të bazuar, dhe të detyrohet e paditura, KPK-ja që në emër të pagesave përcjellëse në lartësi prej tre pagave mujore, të paguaj shumën prej 5.835,73 euro.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi