Lirohet i akuzuari lidhur me konkursin për drejtor të njësive në QKUK

Lirohet i akuzuari lidhur me konkursin për drejtor të njësive në QKUK

Ish-anëtari i komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit të njësive përkatëse të Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Xhavit Bicaj të enjten është liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Deri te lirimi i të akuzuarit, sipas kryetarit të trupit gjykues Shashivar Hoti, ka ardhur pasi nuk është vërtetuar se ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej nga organi i ndjekjes.

Bicaj po akuzohej se në cilësinë e ish-anëtarit të komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit të njësive përkatëse të QKUK-së,  u kishte dërguar testet me 29 pyetje dhe përgjigje të sakta, dy kandidatëve Sonja Blakaj dhe Ramë Miftari, nga 30 kandidatëve sa kishin konkurruar gjithsej.

I njëjti për këtë vepër penale në nëntor të vitit 2017 ishte dënuar me një vit burgim me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë, mirëpo pas ankesës së tij, Gjykata e Apelit për shkak te shkeljeve të evidentuara e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Gjykatësi Hoti, me rastin e shpalljes së aktgjykimit deklaroi se pas propozimit të Gjykatës së Apelit për marrjen e provave të reja është vepruar në atë mënyrë.

Sipas tij, trupi gjykues ka konsideruar më pas se gjendja faktike nga gjykimi i parë ka ndryshuar.

Ai ka thënë se është bërë ekspertizë e teknologjisë informative duke vënë kështu në zbatim udhëzimet e Gjykatës së Apelit.

Sipas aktakuzës, Xhavit Bicaj, më 31 korrik 2014, si anëtar i komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit të njësive përkatëse të QKUK-së, kishte shkelur të drejtat e të tjerëve, duke ju dërguar testet me 29 pyetje dhe përgjigje të sakta, dy kandidatëve Sonja Blakaj dhe Ramë Miftari, nga 30 kandidatëve sa kishin konkurruar gjithsej. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi