Shtyhet gjykimi i cili ka nisur afro 8 vite më parë

Shtyhet gjykimi i cili ka nisur afro 8 vite më parë

Mungesa e të tre të akuzuarve për mashtrim në tentativë dhe mashtrim të blerësve, Veton Bajgora, Fadil Idrizi dhe Ismet Syla, ka bërë që të dështoj shqyrtimi gjyqësor i paraparë të mbahej të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas gjykatësit të çështjes, Hanefi Jashari, i akuzuari Bajgora nuk ka prezantuar në seancë, dhe se gjykata nuk ka prova që ai është ftuar në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, për dy të akuzuarit, Idrizi dhe Syla, gjykatësi ka njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, dhe atë në vitin 2016.

Andaj, sipas gjykatësit Jashari, posa të krijohen kushtet ligjore për mbajtjen e këtij gjykimi, ai do të merr vendim për pushimin e procedurës penale ndaj tyre për shkak të parashkrimit.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykatësi Jashari mori vendim që kjo seancë të ndërpritej.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 7 maj duke filluar nga ora 9:00.

Ndryshe, seanca e parë në këtë çështje penale është mbajtur më 1 shtator 2011. Pas disa seancave të mbajtura, gjykatësit Hanefi kjo lëndë i është transferuar më 18 janar 2019, nga gjykatësja Violeta Namani, e cila nga Departamenti i Përgjithshëm ka kaluar në Departamentin për Krime të Rënda.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 qershor 2011, Veton Bajgora akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ai u përpoq që ti mashtrojë zyrtarët e Policisë së Kosovës (PK) në lidhje me dy furnizime të tonerëve (26 shtator dhe 27 tetor 2010) duke fshehur faktin që ata tonerë (840 copë prej tyre) nuk ishin produkte origjinale të HP-së, në këtë mënyrë me qëllim të nxitjes së atyre zyrtarëve që të plotësojnë dokumentet për marrjen e tonerëve si origjinalë, përkundër faktit se ata nuk ishin, gjë që do të mund të shkaktonte një dëm buxhetit të PK-së në vlerë prej 67 mijë  500 euro.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari duke qenë në cilësinë e menaxherit të N.T.SH “ESS” me seli në Prishtinë, lidh marrëveshje me ndërmarrjen “Gordon Universal Doo” nga Shkupi, për pjesëmarrjen në tenderin e shpallur nga PK për furnizim me tonerë të firmës “HP”, në vlerë prej 252 mijë e 110 euro.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se më 13 shtator 2010 i akuzuari Veton Bajgora e lidh kontratën me Policinë e Kosovës me nr. 214/10/15/111, dhe pas pranimit të urdhër blerjes, i akuzuari fillon furnizimin me tonerë, ashtu që me 26 tetor 2010 e dërgon dërgesën e parë, me flete dërgesë në vlerë 34 mijë e 390 euro dhe më 27 tetor 2010 e dërgon dërgesën e dytë në vlerë prej 33 mijë e 130 euro, ku me rastin e pranimit nga personat e autorizuar dyshojnë se tonerët nuk janë origjinal dhe me kërkesën nga Policia e EULEX-it, është angazhuar ekspertja e produkteve të HP-së, Mirela Jukiq, e cila pas ekzaminimit ka konstatuar se nga sasia e përgjithshme e tonerëve, një mijë e 35 copë, 840 janë të falsifikuar, me ç’rast tonerët janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Veton Bajgora se ka kryer veprën penale “mashtrimi” në tentativë, nga neni 261, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 20 të KPK-së.

Tutje, sipas aktakuzës, Fadil Idrizi akuzohet se si përfaqësues i kompanisë N.T.P “CSC-EU” me seli në Ferizaj, më 22 tetor 2010, me qëllim të mashtrimit të blerësve, ka importuar nga Turqia dhe ka vënë në qarkullim produkte të HP-së, tonerë, kinse si origjinale, në të cilat janë shënuar të dhënat të cilat nuk i përgjigjen prejardhjes dhe kualitetit të produkteve, në sasi prej 1 mijë e 35 cope, nga të cilat 840 nuk ishin produkt origjinal të HP-së, në vlerë të përgjithshme prej 12 mijë e 844 euro, dhe të njëjtat ia shet të akuzuarit Ismet Syla, në vlerë prej 17 mijë e 562, edhe pse i akuzuari Syla ka qenë në dijeni për prejardhjen dhe kualitetin e produkteve të lartëcekura.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Fadil Idrizi se ka kryer veprën penale  “mashtrimi i blerësve”, nga neni 242, paragrafi 1 të KPK-së.

Kurse, sipas aktit akuzues Ismet Syla akuzohet se si menaxher i kompanisë N.T.P “Endi”, me seli në Prishtinë, me 22 tetor 2010, me qëllim të mashtrimit të blerësve, nga i akuzuari Fadil Idrizi ka blerë dhe i ka vënë në qarkullim produktet e HP-së, tonerët, kinse si origjinal, në të cilat janë shënuar të dhënat të cilat nuk i përgjigjen prejardhjes dhe kualitetit të produkteve, në sasi prej një mijë e 35 copë, nga të cilat 840 copë nuk ishin produkt origjinal të HP, në vlerë të përgjithshme prej 17 mijë e 562 euro dhe të njëjtat ia shet shokut të tij, të akuzuarit Veton Bajgora, në vlerë prej 59 mijë e 225 euro, edhe pse i akuzuari Veton Bajgora ka qenë në dijeni për prejardhjen dhe kualitetin e produkteve të lartcekura.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Ismet Syla se ka kryer veprën penale “mashtrimi i blerësve”, nga neni 242, paragrafi 1 të KPK-së.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi