Si e shkatërroi kafeja turke një perandori

Si e shkatërroi kafeja turke një perandori

Revista prestigjioze britanike “The Economist” sjell shkrimin e autores së saj, Sarah Jilani, për rolin e kafesë turke dhe kafeneve në përmbysjen e Perandorisë Osmane.

Kahve ka qenë pija e parapëlqyer e shtresës sunduese të Perandorisë Osmane. Nuk e kanë pasur idenë që një ditë ajo do ta përshpejtonte rënien e perandorisë.

Grekët e qipriotët e quajnë kafe greke, boshnjakët – kafe boshnjake, armenët – kafe armene, arabët – kafe arabe dhe turqit, shqiptarët, kroatët e serbët e quajnë “kafe turke”. Por, në mesin e shekullit 16, njihej vetëm si kahve­ - kafe. Në atë kohë, këta popuj sundoheshin nga Perandoria Osmane, e cila mori në përqafimin e saj të gjerë adhuruesit e kafesë prej Evropës juglindore deri në Persi. Por që në vitet e para të shekullit 19, perandoria filloi të çahej. Kahve luajti një rol pak të njohur në rënien përfundimtare të saj.

Kafja erdhi në Turqi gjatë sundimit të sulltan Sulejmanit të Madhërishmit. Kur njeriu që e  dërgoi të qeveriste Jemenin hasi në një pije energjike që atje njihej si ‘qahwah’, ai e solli atë në oborrin Osman në Stamboll, ku u bë hit menjëherë. “Kahveci usta” apo mjeshtri i kafesë i pallatit mund të kishte me dhjetëra ndihmës të cilët bluanin kokrrat e kafesë Arabica në një pluhur të imët të ngjashëm me teksturën e kafesë për espreso të ditëve të sotme. Ky pastaj zihej në enë bakri të quajtura cezve (xhezve). Pija që fitohej – e hidhur, e zezë dhe e mbuluar me një shtresë shkume që krijohej nga derdhja e shpejtë – shërbehej në kupa porcelani. Legjenda thotë se për të baraspeshuar shijen e hidhur, gruaja e Sulejmanit, Hürrem Sultan, kafenë e shoqëronte me një gotë ujë dhe një kubëz llokumi – ashtu siç shërbehet edhe sot në Turqi.

Sidoqoftë, jo të gjithë, mendonin se Kurani u lejonte myslimanëve pirjen e kësaj pijeje të re stimuluese. Edhe pse shkrimi i shenjtë islam nuk e përmend në mënyrë të veçantë kafenë, një klerik i rreptë i oborrit të Sulltanit, lëshoi një ‘fatwa’ kundër pijes me arsyetimin se ishte e ndaluar të konsumohej çfarëdo që është e djegur. Por kjo nuk e zbuti joshjen nga ajo. Vendi i parë publik ku shërbehej kafja, apo kahvehane, është hapur në Stamboll në vitin 1555 nga dy tregtarë sirianë. Shumë shpejt, gati një në çdo gjashtë dyqane të qytetit – duke filluar nga kafenetë e vogla të lagjes deri te qendrat e mëdha të bashkësisë – shërbenin kafe. Gradualisht, kahve depërtoi deri në cepat më të largëta të perandorisë.

Kafenetë u jepnin burrave mundësinë të mblidheshin diku tjetër përveç në shtëpi, xhami apo Pazar, si vend ku mund të shoqëroheshin, të ndërronin informatat, të argëtoheshin – dhe të arsimoheshin. Pjesëtarët e arsimuar të shoqërisë lexonin me zë lajmet e ditës; jeniçerët si anëtarë të njësive elitare të ushtrisë osmane, planifikonin akte proteste kundër Sulltanit; zyrtarët diskutonin intrigat gjyqësore; tregtarët këmbenin përgojimet për luftë. E shumica analfabete dëgjonte. Në kafene ata u njohën me idetë që do të shkaktonin telashe për shtetin otoman: kryengritje, vetëvendosje dhe gabueshmërinë e pushtetarëve.

Nuk kaloi shumë kohë dhe autoritetet filluan t’i konsiderojnë kafenetë si kërcënim. Disa sulltanë dërgonin spiunët e tyre në kafene masnin opinionin publik; të tjerët, si Murati i IV-t, sulltan nga fillimi i shekullit 18, u përpoq t’i mbyllte fare. Por ato ishin tepër profitabile. Në shekullin 19, kur lëvizjet kombëtare në tokat otomane arritën pikën e vlimit, popullariteti i kafeneve arriti kulmin. Grupet etnike në rajonet evropiane që kishin shumicën e popullatës ortodokse, filluan të agjitojnë për pavarësi. Udhëheqësit nacionalistë planifikonin taktikat e tyre dhe lidhnin aleancat në kafenetë e Selanikut, Sofjes e Beogradit. Përpjekjet e tyre të ushqyera nga kafeina u bënë të suksesshme me themelimin e Greqisë së pavarur në vitin 1821, Serbisë në vitin 1835 dhe Bullgarisë në vitin 1878. Sundimi i kahve­-s kishte marrë fund.

Kombet e ndryshme i dhanë pijes vulën dalluese: Grekët e bëjnë me mastikë, një rrëshirë bime; kroatët me fara qimnoni; arabët e ziejnë me fara kardamoni dhe e shërbejnë në kupa të vogla pa vegë të quajtura ‘finjan’. Edhe kur pihet ‘sade’ apo e rëndomtë, karakteri i shijes varet nga pjekja; kokrrat e pjekura mesatarisht deri shumë të llojit turk japin një kafe me shije dheu, me tone tymi dhe me një teksturë të dendur. Kur të zbrazet filxhani, do të vëreni kokrrizat e imëta që mbulojnë fundin e tij. Efekti të zë shpejt. Perandorë të botës kini kujdes.