Komisioni për Siguri rekomandon shkarkimin e Kryeshefes së IPK-së

Komisioni për Siguri rekomandon shkarkimin e Kryeshefes së IPK-së

Me pesë vota për, një abstenim dhe dy vota kundër, Komisioni për Siguri në Kuvendin e Kosovës ka miratuar raportin e Grupit Punues, i cili përfshin rekomandimin për shkarkimin e Kryeshefes së Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi.

Kundër votuan deputeti i LDK-së Ismet Beqiri dhe deputetja e PSD-së, Aida Dërguti.

Ky grup punues ishte themeluar me qëllim që të mbikëqyrë ligjshmërinë në IPK, pas skandalit të publikuar nga emisioni “Betimi për Drejtësi”.

Miredije Kelmendi, në këtë detyrë e kishte pasur Hilmi Mehmetin, të cilin e kishte shkarkuar ish-ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bejtush Gashi.

Në vendimin e ministrit Gashi, që mbante datën 21 qershor 2018, thuhet se Hilmi Mehmeti me veprimet e tij, ka shkaktuar keqmenaxhim të vazhdueshëm të IPK-së, ka dështuar të përmbush objektivat strategjike të IPK-së dhe përfundimisht, sipas vendimit, me veprimet e tij në keqmenaxhim të vazhdueshëm, Mehmeti ka dëmtuar imazhin e IPK-së.

Rasti në fjalë, kishte të bënte me një konkurs të shpallur në korrik të vitit 2017, nga ana IPK-së për 17 vende të lira të punës në këtë institucion, e ku siç thuhej në vendimin e MPB-së, auditori i kësaj ministrie kishte gjetur plot 15 shkelje ligjore në procedurat e rekrutimit të këtij konkursi.

Ky auditim i këtij konkursi ishte bërë me kërkesë të ish-ministrit të MPB-së Flamur Sefaj, nga ana e Njësisë së Auditimit të Brendshëm të MPB-së, dhe atë, pasi “Betimi për Drejtësi” kishte transmetuar një audio-incizim ku shiheshin dallaveret që kishin ndodhur në procedurën e rekrutimit lidhur me konkursin në fjalë.

Pas të gjeturave të auditimit, më 18 dhjetor të vitit të kaluar, ish-ministri i MPB-së në atë kohë, Flamur Sefaj kishte bërë kërkesë që ky konkurs të anulohej, dhe një gjë të tillë edhe kishte ndodhur më 29 dhjetor 2017.

I gjithë rasti ishte iniciuar në nëntor të vitit 2017, kur MPB-ja kishte pranuar një ankesë në lidhje me këtë konkurs, nga ana e anëtarit të komisionit për rekrutim, Qerim Bytyqit, njëherësh udhëheqës për hetime në Divizioni e Prizrenit/Pejës, në kuadër të IPK-së, i cili përmes një shkrese kishte njoftuar ministrin për shkeljet e komisionit në procedurën e rekrutimit.

Për më tepër rreth këtyre shkeljeve, siç thuhej në vendimin e MPB-së, ekzistojnë edhe audio-incizime, ku anëtarët e komisionit shihen se janë shantazhuar dhe janë detyruar të bëjnë shkelje ligjore në këtë proces, e të cilat audio-incizime siç e thotë edhe vendimi i ministrit, janë transmetuar në emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Krejt këto zhvillime, kishin pasuar vetëm pak ditë, pasi që emisioni “Betimi për Drejtësi”, i cili transmetohet në RTK, kishte shfaqur hulumtimin e zhvilluar mbi shkeljet ligjore të konkursit në IPK.

Në vazhdim po e sjellim linkun e emisionit të plotë lidhur me ndikimet në konkursin e IPK-së.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi