Kthehet pjesërisht në rigjykim rasti ndaj të akuzuarit për krime lufte

Kthehet pjesërisht në rigjykim rasti ndaj të akuzuarit për krime lufte

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim të pjesshëm rastin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Zoran Vukotiq.

Kështu, Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke e kthyer në rigjykim rastin sa i përket pikës I të aktakuzës, që e ngarkonte Zoran Vukotiqin për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë, e nga e cila pikë, Vukotiq ishte liruar nga shkalla e parë.

Kurse, për pikën II të aktakuzës, Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin e shqiptuar prej gjashtë vjet e gjashtë muaj të akuzuarit Vukotiq, pasi nuk ka gjetur shkelje në këtë pjesë, dhe si rrjedhojë ankesat i ka refuzuar si të pa bazuara.

Vendimin e saj, gjykata e shkallës së dytë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, ka vendosur lidhur më ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe avokatëve mbrojtës të akuzuarit Z.V. Në pjesën dënuese, aktgjykimi i shkallës së parë është vërtetuar, ndërsa në atë liruese, lënda i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Në pikën e aktakuzës për të cilën Vukotiq ishte liruar nga akuzat, Apeli ka gjetur se arsyet përkitazi me faktet vendimtare, që ka dhënë gjykata e shkallës së parë janë të paqarta, kundërthënëse në masë të konsiderueshme dhe në kundërshtim me shkresat e lëndës lidhur me deklarimet e dëshmitarëve.

“Siç rezulton nga përmbajtja e aktgjykimit të ankimuar, gjykata e shkallës së parë aktgjykimin lirues përveç në mbrojtjen e të akuzuarit e mbështetë edhe në dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna në shqyrtimin gjyqësor, por pa dhënë arsye të mjaftueshme dhe konkrete përse gjykata nuk i ka marr parasysh deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në fazat e mëparshme të procedurës paraprake, në polici dhe prokurori, të cilat janë dhënë në një kohë relativisht të shkurtër pas ngjarjes kritike, kur edhe dëshmitaret e kanë pasur memorien e freskët dhe kanë qenë më të sigurt në deklarimet e tyre për ngjarjet e luftës, por edhe lidhur me kryerësit, gjegjësisht identifikimin e të akuzuarit sepse janë dhënë pas disa muajve ose pak vjet pas luftës.”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Apelit.

Për këto arsye, sipas Apelit, në rastin konkret bëjnë që aktgjykimi i ankimuar të jetë i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që i bije të jetë  juridikisht është i paqëndrueshëm për ç’ arsye, sipas Apelit, kjo pjesë e aktgjykimi është anuluar është kthyer në në rigjykim.

Me rastin e rigjykimit, Apeli e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë, që duhet ti mënjanojë shkeljet esenciale të cekura e theksuara të dispozitave të procedurës penale, pastaj lëshimet lidhur me vërtetimin dhe vlerësimin e drejtë të gjendjes faktike si dhe zbatimin e drejtë të ligjit penal.

Gjithashtu, sipas Apelit në rigjykim duhen të mirën në konsideratë edhe pretendimet tjera ankimore për gjendjen faktike dhe zbatimin e ligjit penal të cekura në ankesën e prokurorisë Speciale të republikës së Kosovës.

“Duke u bazuar në të gjitha këto ti administrojë edhe një herë të gjitha provat e propozuara dhe me ndërgjegje të vlerësojë çdo provë një nga një dhe në lidhje me provat tjera në këtë çështje posaçërisht deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në gjitha fazat e procedurës penale dhe në bazë të vlerësimit të tillë të nxjerr aktgjykimin të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penale.”, përfundon aktgjykimi i Apelit.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 25 maj 2018, të akuzuarin Vukotiq e kishte shpallur fajtor për krime lufte kundër popullatës civile të sanksionuara me konventat e Gjenevës dhe të njëjtit, i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë vjet e gjashtë muaj.

Atij do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 10 marsi 2016, e derisa ky aktgjykim të merr formën e prerë.

Kurse, kërkesat pasurore juridike janë refuzuar, e për të cilat palët janë udhëzuar në kontest civil.

Ndërkaq, i akuzuari Vukotiq, ishte liruar për pikën 1 të aktakuzës, që e ngarkonte atë për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Të pakënaqur me këtë aktgjykim të Themelores, PSRK ishte ankuar në Apel për pjesën liruese të aktgjykimit dhe atë për shkak të pretendimeve se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike si dhe shkelje të ligjit penal, kurse, për shkak të vendimit mbi dënim është ankuar edhe për pjesën dënuese të aktgjykimit.

Sipas ankesës së PSRK-së, shkalla e parë ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike pasi që, gabimisht ka bërë vlerësimin e provave dhe atë, gabimisht i ka vlerësuar deklaratat e dëshmitarëve, Naser Gerxhaliu, Bashkim Ademi, Remzie Morina, Haki Ademi, Musa Gerxhaliu dhe Baki Ademi, pasi siç pretendon prokuroria, nga këto dëshmi në mënyrë të plotë vërtetohet se i akuzuari i ka kryer veprat penale për të cilat është liruar, sepse, nga deklaratat e këtyre dëshmitarëve, vërtetohet saktësisht identiteti i të akuzuarit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Zoran Vukotiq, avokati Nebojsha Vlajic, me ankesën e ushtruar në Apel, i kishte propozuar kësaj të fundit që aktgjykimin dënues të shkallës së parë të ndryshojë dhe të akuzuarin ta lirojë ose të njëjtit t’i shqiptohet dënim më i butë. Kurse, për pjesën liruese, Vlajic, i ka propozuar Apelit që të vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Zoran Vukotiq në mes të datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor reservist nga stacioni policor në Vushtrri, në bashkëpunim me persona të tjerë nga radhët e forcave serbe, ka marrë pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Poshtme në Studime të Epërme.

Në vazhdim të aktakuzës thuhet se gjatë kësaj kohe, popullata civile në mënyrë të qëllimshme u është nënshtruar vrasjeve brutale  dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafundme, dëbimit si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Bazuar në aktakuzë  në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë johumane për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi, janë, Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica,Adnan Bunjaku, Rrahmon Ademi, një 14 vjeqar i paindentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu,  Musa Gërxhaliu, Bajram Gërxhaliu, Bahrije Gërxjaliu dhe Avdi Gërxhaliu.

Ai gjithashtu akuzohet se në periudhën maj deri në fillim të qershorit 1999, si një rezervist në stacionin policor në Vushtrri, si një roje burgu, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në paraburgimin e paligjshëm të një numri të madh të civilëve shqiptarë në burgun e Smrekonicës në rajonin e Mitrovicës, gjatë së cilës periudhë këta civilë i’u ekspozuan qëllimisht trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të mëdha, torturave dhe rrahjeve për të cilat i akuzuari Zoran Vukotiq, mban përgjegjësi personalisht.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi