Gjinekologji, një gruaje i hiqet cista që peshonte 10 kilogramë

Gjinekologji, një gruaje i hiqet cista që peshonte 10 kilogramë

Një ekip mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka kryer një operacion të komplikuar tek një grua, duke ia larguar një cist nga vezorja, i cili peshonte 10 kilogramë.

Gjatë intervenimit, pacientes i janë ruajtur organet reproduktive (mitra dhe vezorja), ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe me rekomandim të mjekut do të lirohet shumë shpejt në shtëpi.

Shef i Repartit të Operativës, dr. Zef Ndrejaj, e ka përshkruar hollësisht çështjen, ndërkaq ka thënë se gjatë karrierës së tij është rasti i parë me përmasa kaq të mëdha.

“Është një tumor i vezores, faktikisht cist i vezores së djathtë. Janë raste të shpeshta, por jo në këtë përmasë , me këtë përmasë janë shumë të ralla. Prej përvojës sime 20 vjeçare, është rasti i vetëm që e kam parë me këto përmasa”, thotë dr. Ndrejaj.

Operimi ka zgjatur dy orë dhe është realizuar me Thikën Ultrasonike (Ligashurën), një pajisje që e bën ndërhyrjen më të shpejtë e më të lehtë dhe, veç prerjes, kryen edhe qepjen, pa pasur nevojë për intervenim me penj e gjilpërë.

Klinika e Gjinekologjisë është pajisur me këtë aparaturë vitin e kaluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK, me qëllim që të ofrohen shërbime më cilësore për pacientin.

“Cisti e kishte mbuluar tërë hapësirën e abdomenit. Falë aparaturës së re, operacioni ka qenë shumë i suksesshëm, ka qenë më i lehtë dhe nuk kishte asnjë komplikim”, thekson dr. Ndrejaj.

Pacientja V. K kishte menduar së është shtatzënë, por pas ultrazërit gjinekologu i kishte rekomanduar operimin. Thotë se tash është mirë dhe nuk ka më dhimbje.

“Kam menduar që jam shtatzënë, se fëmijë nuk kam. Kur e kam bërë ultrazërin te gjinekologu, më ka thënë që është një cist dhe duhet të operohem, patjetër. Tash, jam operuar dhe po e ndjej vetën shumë mirë”, pohon Kabashi.