Kompensimi i të dënuarve dhe të paraburgosurve pabazë, po kushton shumë

Kompensimi i të dënuarve dhe të paraburgosurve pabazë, po kushton shumë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e së premtes ka diskutuar lidhur me rritjen e numrit të kompensimeve që ky institucion ka bërë ndaj personave të cilët janë mbajtur në paraburgim apo në dënim pa të drejtë.

Këto diskutime, KGJK-ja i ka bërë me rastin e shqyrtimit të Raportit të Njësisë për Inspektim Gjyqësor (NjIGj), e cila gjatë vitit të kaluar kishte trajtuar edhe këtë çështje.

Anëtari i KGJK-së, gjykatësi Muhamet Rexha, ka thënë se është koha e fundit që të sensibilizohet më shumë për këtë çështje.

“Duhet që kjo çështje të diskutohet edhe në takimet e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave. Gjyqtarët duhet ta respektojnë udhëzuesin për politikë ndëshkimore të cilin e ka nxjerrë Gjykata Supreme. Gjyqtarët duhet të veprojnë çdo herë në bazë të ligjit. Gjyqtari është dominis litis. Ai vendos për rastin dhe nuk duhet të ndikohet nga askush. Ky kompensim po na kushton shumë, por në të ardhmen mundet të na kushtojë edhe më shumë. Nuk është e thënë që çdo herë duhet të caktohet paraburgimi, kur janë edhe 7-8 masa të tjera për sigurimin e të pandehurit në procedurë”, ka thënë Rexha.

Me këtë deklarim, është pajtuar edhe gjykatësja Makifete Saliuka, duke thënë se njerëzit po mbahen në paraburgim pa arsyetim të mjaftueshëm.

“Unë plotësisht pajtohem me kolegun. Njerëzit po mbahen në paraburgim edhe pa arsyetim të mjaftueshëm. Duhet me pas kujdes maksimal. Por, sa i përket shuma që KGJK ofron në këto raste, ajo është shumë e padinjitetshme. Duhet të vendoset rregull në këtë drejtim, pasi rastet pas KGJK-së po shkojnë në Gjykatë, dhe Gjykata po vendos për një kompensim shumë të madh”, ka deklaruar ajo.

Ish-kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi ka përsëritur atë që kishte thënë vitin e kaluar, se duhet të bëhet performanca e gjykatësve dhe të shikohet se a ka gjykatës, të cilët kanë një numër të madh të vendimeve të tilla.

Lidhur me gjithë këtë diskutim, kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj ka thënë se në takimet që do t’i ketë KGJK-ja me kryetarët e Gjykatave do të trajtohet edhe kjo çështje.

Sa i përket kompensimit të personave të dënuar, arrestuar ose mbajtur në paraburgim pa arsye, “Betimi për Drejtësi” kishte publikuar emisionin “Humbja e milionave nga “gabimet” e drejtësisë”.

Në këtë emision, gjykatësi Muhamet Rexha kishte thënë se ai do ta inicionte ngritjen e një çështjeje të tillë në KGJK.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi