Dështon gjykimi ndaj ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal në Drenas

Dështon gjykimi ndaj ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal në Drenas

Sërish ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ndaj ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal në Drenas, Naim Bazaj, i cili akuzohet për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Fitim e Driton Bazaj, kurse për veprën penale “sulm”, akuzohen Shaip dhe Marigona Gjoka.

Ata akuzohen se ishin përfshirë në një konflikt fizik lidhur me emërtimin e një rruge në fshatin Terstenik të Drenasit.

Shkak për mos mbajtjen e seancës ka qenë mungesa e të akuzuarve Naim, Fitim dhe Driton Bazaj, si dhe Shaip dhe Marigona Gjoka, të dëmtuarve – dëshmitarëve Ragip Gjoka, si dhe dëshmitarëve tjerë, Sefedin Salihu, Mehmet Bylykbashi, Destan Gjoka, Milaim Topalli, Murat Gjoka, Xhemshir Berisha dhe Sherif Demaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Shefqet Baleci, lidhur me mungesën e të pandehurve, dëshmitarëve dhe të dëmtuarve, tha se me 2 prill 2019, gjykatës i është dorëzuar parashtresa me kërkesën për shtyrjen e seancës, e ushtruar nga i pandehuri Fitim Bazaj.

“Në parashtresë ka theksuar se Driton Bazaj, nuk mund të merr pjesë në gjykim, pasi që gjendet në Burgun e Tiranës, qe 30 ditë, dhe nuk mund të jemi të pranishëm në seancë pasi që ende s’kemi konfirmim se sa do të zgjasë paraburgimi dhe kërkojmë nga gjykata që shqyrtimi të shtyhet për një datë tjetër”, ka thënë gjykatësi Baleci që i është referuar parashtresës.

Sipas gjykatësit Baleci, në këtë mënyrë palët e tjera janë njoftuar që të mos paraqiten në gjykatë në mënyrë që të mos krijohen shpenzime të panevojshme.

I pranishëm në seancë ishte prokurori Dren Paca.

Seanca është shtyrë për kohë të pacaktuar, derisa gjykimi i ardhshëm, sipas Balecit, do të caktohet kur të krijohen kushtet ligjore.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 qershor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Bazaj, Driton Bazaj, Fitim Bazaj, nën akuzën se të njëjtit më 17 shkurt 2017, rreth orës 17:05, në lokalin te “Naimi”, derisa i dëmtuari Ragip Gjoka ka qenë në lokal me Milaim Topallin, ku Ragip Gjoka ka filluar të bëhet nervoz duke përdorë fjalë ofenduese ndaj kamerierit të lokalit Sefedin Salihut, për shkak të një mosmarrëveshje lidhur me emërtimin e një rruge në fshatin Tërstenik, përkatësisht në lagjen Gjoka.

Sipas aktakuzës, rruga është emërtuar në emër të dëshmorit Osman Gjoka, e jo siç është kërkuar nga ana e Ragip Gjokës, që një pjesë e rrugës të emërtohet me emrin e dëshmorit Fadil Gjoka, vëllai i të dëmtuarit Ragip Gjoka.

Sipas aktakuzës, Ragip Gjoka në shenjë pakënaqësie lidhur me emërtimin e rrugës, i ka dërguar një SMS të pandehurit Naim Bazaj, duke i thënë  “O Naim Baza hajde i ………se jam në të njëjtën tavolinë ku keni qenë më herët, pse ma ke hjek emrin e rrugës së vëllait tim me ty kam punë”.

Sipas aktakuzës, në lokal ka shkuar Naimi me Dritonin dhe Fitimin, ku fillimisht Naimi ka shkuar tek tavolina e Ragip Gjokës dhe i është drejtuar me fjalët “kërko falje publike për ato fjalë që mi ke thanë sot, se është dita e pavarësisë, se nuk po du me të lajmëruar në polici”, dhe më pas për shkak të kësaj mosmarrëveshje, në bashkëkryerje nga ana e të pandehurve, ku i pandehuri Naim e ka kapur për rroba në gjoks të dëmtuarin duke e rrëzuar për tokë dhe më pas ata dy të pandehurit Driton dhe Fitim e kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grushte.

Sipas aktakuzës, në këtë rast i dëmtuari Ragip Gjoka ka pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Më këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 par 1 pika 4 dhe nenin 31 të Kodit Penal të  Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjithashtu akuzon Shaip Gjoken, Marigona Gjoka se në të njëjtën datë, kohë dhe vend, për shkak të ngjarjes së ndodhur, Shaip Gjoka e ka thirrur në telefon Ragip Gjokën, i cili i kishte treguar për ngjarjen dhe më pas i njëjti së bashku me të pandehurën Marigona Gjoka dhe prindin e saj, Murat Gjoka, shkojnë në lokal.

Sipas aktakuzës, në lokal takohen me të dëmtuarin Hamëz Gjoka për shkak se Ragipin e kishin marr policia dhe e kishte dërguar në stacion, e pandehura Marigona i është drejtuar të dëmtuarit Hamëz Gjoka se çka ka ndodhur dhe derisa i dëmtuari ka qenë duke e shikuar të  pandehurën e njëjta e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me shuplakë në fytyrë dhe aty ka ndërhyrë dëshmitari Mehmet Bylykbashi për t’i ndarë, me ç’rast i pandehuri Shaip Gjoka nga mbrapa e ka goditur me grusht të dëmtuarin në kokë.

Me këtë, akuzohen se secili veç e veç, se kanë kryer veprën penale “Sulm”, nga neni 187  parag.1 te Kodit Penal Të Republikës së Kosovës.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi