Arti e rikthen Mal Myrtajn në vendlindje

Arti e rikthen Mal Myrtajn në vendlindje

Kur flasim për skulpturën, Mal Myrtaj është njëri ndër të parët që na kujtohet për faktin se skulpturat që ka punuar ai i kanë bërë shqiptarët të kenë dëshmitë edhe për gjeneratat e reja. E sidomos me punimin e bustit të humanistes shqiptare Nënë Tereza, bust i bronztë që është vendosur në mes të parqeve të bukura të spitalit të fëmijëve të Bodense Hegaut.

Image

Mal Myrtaj, i lindur në Pejë, karrierën e tij shumëvjeçare në fushën e skulpturës e artit e ka zhvilluar në Gjermani e Zvicër, kurse pas një periudhe të gjatë i kthehet vendlindjes së tij, Pejës, me një ekspozitë që e ka emëruar “Gjurmët këtu dhe atje”. Kjo ekspozitë ka përmbledhur disa prej punimeve në skulpturë e vizatime gjatë periudhës që janë punuar në Gjermani. Për gazetën “Zëri” ai ka rrëfyer rrugëtimin e tij dhe shprehet i lumtur që punën e tij po e rikthen në vendin ku ai ka frymuar së pari. “Unë kur kam shkuar në Gjermani kam shkuar me mendimin që të kthehem prapë, kam punuar mbi 20 vjet, atje kam zhvilluar edhe profesionin tim, kurse me profesion jam skulptor. Kam bërë ekspozita të shumta në Gjermani për arsye se kam qenë anëtar i Shoqatës së Artistëve Internacionalë, më është dhënë mundësia të jem pjesë e ekspozitave të përbashkëta internacionale, ku ishim mbi 500 anëtarë kolegë atje”, rrëfen Myrtaj.

Ai kujton se pas punës për ekzistencë që ka bërë në Gjermani është marrë edhe me art figurativ, por sipas tij pasi mosha e bëri të veten ai kthehet në Kosovë edhe me arsyen se është familja që i jeton këtu.

Myrtaj ka thënë se e ka menduar shumë si do ta bëjë ekspozitën, se si simbolikisht të paraqitet në vendlindjen e tij, si një lloj simbolike e kthimit në atdhe. “Kjo ekspozitë është kthim. Jam në moshën 66-vjeçare dhe po mendoj se ende kam kohë për të punuar, kam dëshirë që atë të cilën e kam dhënë si krijues jashtë vendit tim ta inkuadroj edhe këtu në Kosovë. Tani janë mundësitë shumë më të mëdha për të krijuar kushte pune edhe në Kosovë, më herët nuk ka qenë kështu, skulptura është art i cili kërkon punë dhe mjete, por brenda dy-tre vjetësh do të krijoj tema materiale, origjinale tonat”, thekson Myrtaj.

Edhe pse kur i krahason kushtet e punës me shtetet e jashtme thotë se Kosova është vend që jep hapësira shumë të vogla për t’u zhvilluar artistikisht, sipas tij nuk duhet të kritikojmë aq shumë. “Gjithmonë kur dëshiron njeriu të punojë mund të krijojë edhe disa mundësi që autori në bashkëpunim me institucionet kulturore, qoftë me galeritë ose muzetë, në një bashkëpunim të bëhet diçka. Mëkat i madh kur i krahasojmë mundësitë me shtetet e jashtme, por ajo çka është e rëndësishme te ne është se ne kemi artistë mjaftueshëm, kuantiteti sjell kualitetin”, thotë ai. Ai më tutje shton se brezat e rinj do të duhet të jenë më të kujdesshëm sesa gjeneratat e kaluara dhe do të mundohen që të gjejnë kushte pune me ato mundësi që kanë. “Ne që kemi shijuar botën jashtë Kosovës po mendoj se do të duhej të sjellim të mirat profesionale që kemi marrë jashtë Kosovës. Së pari, nuk kam ardhur që të vetëdijesoj njerëz ose institucione, por përvojën time kam dëshirë ta ndaj me brezat e rinj dhe të bashkëpunoj me ta, njëkohësisht ta sinkronizojmë së bashku dhe të vijmë deri te një rezultat që do të jetë i dukshëm”, thotë për “Zërin” artisti.

I pyetur se cila është e mira e profesionit të tij, Myrtaj thotë se të jesh skulptor, të punosh vepra arti tredimensional, që janë vepra të cilat vendosen në vende të hapura, nëpër parqe, vepra që njerëzit i shohin dhe në një aspekt janë vepra që u lihen si dëshmi brezave.

Punimet e Myrtaj janë të vendosura në disa qytete, Francë, Austri, Zvicër e Gjermani.

“Unë kam punuar portretin e Nënës Terezës në Gjermani, ku është vendosur në vitin 2015 dhe për mua si krijues ka qenë nder dhe krenari vlerësimi i një pune që unë e kam realizuar. Kam një vepër që është vendosur në një qytet të Francës, ai punim i ka pëlqyer qytetit dhe njerëzve që jetojnë atje dhe si rezultat i kësaj më kanë shpallur ‘Qytetar Nderi’, ku kam të drejtë edhe të shkoj të jetoj dhe të veproj atje”, thotë Myrtaj, i cili po ashtu ka punuar edhe si profesor arti në Pejë dhe Preshevë e që në këtë të fundit thotë se i ka borxh atij vendi dhe ka dëshirën që të bëjë diçka në atë vend. “Pata punuar bustin e Skënderbeut në Preshevë në kohëra shumë të vështira, kurse tani do të mundohem të sjell gjëra më moderne dhe gjëra për të cilat ka nevojë Presheva e Bujanoci”, vlerëson Myrtaj.

Në Kosovë Mal Myrtaj ka ekspozuar në vitin 2013. Ministria e Kulturës i pati mundësuar realizimin e një ekspozite në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Por në Pejë është ekspozita e parë. “Ndoshta moshat e reja janë më kuriozë, më entuziastë kur bëjnë diçka, kryesisht tek unë është një problem tjetër, sepse për të rrallat herë në përurimin e punës sime kam pasur mundësinë që krah ta kam familjen, e cila gjithmonë më ka munguar në punën time. Ndoshta emocionet më të mëdha do të jenë kur do të kem mundësinë t’i shoh nipat dhe mbesat në ekspozitë, përndryshe ne jemi profesionistë kudo që të jemi, më shumë përkushtohemi tek ana profesionale”, thekson skulptori.

Theksojmë se Mal Myrtaj është vlerësuar me çmime të shumta brenda e jashtë vendit.(Zëri)Image