VIDEO - ‘Bryma e vdekjes’, sot premierë në Teatrin Kombëtar

VIDEO - ‘Bryma e vdekjes’, sot premierë në Teatrin Kombëtar

Teatri Kombëtar i Kosovës do të shfaqë sot, në ora 20:00, premierën e shfaqjes “Bryma e vdekjes”, në regji të Burbuqe Berishës dhe me tekst të Milazim Krasniqit.

“Bryma e vdekjes” është realizuar në bashkëpunim edhe me Baletin Kombëtar dhe trajton tmerret që  përjetuan qytetarët kosovarë në kampin e Bllacës më 1999 gjatë luftës së Kosovës.

“Ngjarja e cila përshkruhet në këtë dramë është ngjarje të cilën e ka përjetua vetë autori i asaj që ka ndodhë në Bllacë, profesori, Milazim Krasniqi”, tha Burbuqe Berisha regjisore e kësaj shfaqje, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Sipas saj shfaqja ka një vlerës historike, prek një temë mjaft me rëndësi, siç është ajo e kampit të Bllacës. “Është bërë një punë e përcjellë me sfida për realizimin e shfaqjes, por pavarësisht hezitimeve është arritur një rezultat i pritur”, ka thënë ajo. Shfaqja tha ajo, pritet të jepet edhe në teatrin e Shkupit dhe atë të Tiranës.

Regjisorja Berisha fton publikun për të parë shfaqjen, e cila sipas saj ballafaqon me të kaluarën dhe reflektimin me atë çfarë ka ndodhur 20 vjet më parë në Bllacë të Maqedonisë së Veriut.

Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë: Valmir Krasniqi, Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Afrim Muçaj, Albulena Kryeziu –Bokshi, Blerta Deliu, Thana Deliu,  Artiola Hamdija, Naim Berisha, Ismet Azemi, Shpetim Kastrati, Labinot Raci, Xhejlane Godaci, Adhurim Demi e tjere. Ndersa asistent regjie është Bashkim Ramadani.

Kompozitor i muzikës është Florent Bishnjaku, skenografia është e punuar nga Petrit Bakalli dhe kostumografia nga Albulena Borovci ndërsa koreografinë e shfaqjes e ka punuar Sinan Kajtazi.

Për më shumë ndiqni videon në vazhdim: