Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova

Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova

Gjykata Themelore në Pejë e ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, për veprën penale “konflikti i interesit”.

Rugova akuzohet lidhur me një tender në vlerë prej rreth 300 mijë euro, të cilin sipas prokurorisë, e ka fituar kompania që udhëhiqet nga vëllai i tij, Gani Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se kërkesa e mbrojtësit të Rugovës, avokatit Besnik Berisha, për hudhjen e aktakuzës ndaj klientit të tij, është e pabazuar.

“Gjykata vlerëson se aktakuza si e tillë në një formë, i përmban elementet formale sikur që përcakton neni 241 par.1 të KPPK-së dhe Gjykata vlerëson se në këtë fazë të procedurës, ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, theksohet në vendimin e gjykatësit të rastit, Sylë Lokaj.

Kurse, provat të cilat janë siguruar në fazën e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, sipas gjykatësit Lokaj janë të pranueshme, dhe të njëjtat do të administrohen dhe vlerësohen gjatë shqyrtimit kryesor.

Ndaj këtij vendimi, i akuzuari Rugova ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit në afat prej 5 ditësh.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.

Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.

Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi