Kosova e Shqipëria pritet të bëhen me fond të përbashkët kulturor

Kosova e Shqipëria pritet të bëhen me fond të përbashkët kulturor

Të martën në Tiranë është nënshkruar Kalendari i Përbashkët Kulturor Vjetor në mes të Ministrisë se Kulturës të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Në takimin e dy ministrave u tha se kjo është një ngjarje e madhe në të dy anët e kufirit ndërsa u diskutua edhe për mundësinë e krijimit të një fondi të përbashkët kulturor.

Pas nënshkrimit të dokumentit, ministri Kujtim Gashi tha se kalendari parasheh aktivitete të shumta kulturore në të dy anët e kufirit, gjatë vitit 2019.Ai tha se janë të përfshira të gjitha institucionet kulturore.

Sipas tij, ka qenë përkushtim i të dy ministrive që të finalizojnë dokumentin me një rifreskim të aktiviteteve të shumta.

Ministri Gashi deklaroi se insistojnë të mbështesin skenën e pavarur kulturore.

Sipas tij në ditët në vazhdim të dy ministritë do gjejnë mundësi që të krijojnë në fund të vitit një fond të përbashkët, i cili do të implementohet gjatë vitit 2020.

Elva Margariti, e cila tani drejton Ministrinë e Kulturës në Shqipëri, foli për rëndësinë që ka kultura për të dy vendet.

Ministrja Margariti tha se kjo traditë e ka treguar që po fton persona gjithmonë e më shume si nga Kosova ashtu nga Shqipëria, që të krijojnë urën lidhëse midis aktiviteteve kulturore.

Kujtojmë qe Kosova dhe Shqipëria pajtohen për Kalendarin e përbashkët Kulturor vjetor duke ju referuar "Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik ndërmjet Qeverisë se Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nënshkruar më 11 janar 2014 në Prizren.