Të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit kërkojnë nga Ivanov që t’i falë

Të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit kërkojnë nga Ivanov që t’i falë

Nga Zyra e presidentit të Maqedonisë së Veriut, nuk kanë dhënë detaje se si do të veprojë presidenti në largim, Gjorge Ivanov karshi kërkesës për faljen e të dënuarve për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit.

Nga Presidenca vetëm kanë konfirmuar se disa nga të dënuarit për ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kanë kërkuar që presidenti i shtetit t’i falë.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska, ka thënë se procedurat për falje, mund të bëhen vetëm përmes ministrisë që ajo drejton.

Deskoska ka njoftuar se në Ministrinë e Drejtësisë, ende nuk ka arritur asnjë kërkesë për faljen e të dënuarve për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, andaj, sipas saj, asnjë nga këta persona nuk mund të falen.

Ndërkohë, ekspertët juridikë thonë se ligji në bazë të cilit presidenti i shteti mund të falë persona të caktuar, nuk është preciz, dhe i njëjti mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, përmes argumenteve juridike.

Gordan Kalajxhiev, ligjërues në Fakultetin Juridik në kuadër të Universitetit të Shkupit, për Radio Evropa e Lirë thotë se edhe përkundër asaj se ai personalisht mendon se nuk ka bazë ligjore që presidenti t’i falë personat e caktuar, pa realizimin e procedurës përmes dikasterit të drejtësisë, megjithatë ai shton se neni 11 i Ligji për falje krijon mundësi që të falen persona të caktuar kur një gjë e tillë është në interes të shtetit, duke mundësuar anashkalimin e procedurave të Ministrisë së Drejtësisë.

“Do të thotë, se sipas nenit 11, Presidenti i Republikës, me përjashtime mund të japë falje dhe pa zbatim të procedurës për falje sipas ligjit kur falja bëhet në interes të Republikës, ose kur rrethanat e veçanta që lidhen me personalitetin dhe veprën penale tregojnë se është e justifikuar”, sqaron Kalajxhiev.

Më 2009, gjatë ndryshimeve të Ligjit për falje, neni 11 ishte hequr nga ky ligj.

Por, Gjykata Kushtetuese në vitin 2016 vendosi t’i shfuqizojë ndryshimet e ligjit me arsyetim se ndryshimet në Ligjin për falje kanë “kufizuar të drejtën kushtetuese të presidentit për të falë”.

Ndërkohë që ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska ka theksuar se të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit nuk mund të falen dhe për faktin se tashmë janë shpallur zgjedhjet presidenciale dhe gjatë kësaj periudhe nuk mund të ngritet procedurë për falje.

Ekspertët juridikë njëherësh theksojnë se nëse presidenti në largim i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov vendos të falë personat e dënuar për rastin e 27 prillit, duke u thirrur në nenin 11 të Ligjit për falje, atëherë ai këtë mund ta bëjë, sepse ligji në këtë rast nuk bie ndesh me Kodin Zgjedhor, ndërkohë që në vend po zhvillohet fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale.

Njohësit çështjeve politike druajnë se interpretimi në forma të ndryshme i Ligjit për falje krijon mundësi që politikanët të bëjnë pazare me sundimin e drejtësisë në kurriz të arritjes së një marrëveshjeje mes partive politike maqedonase, përkatësisht VMRO-DPMNE-së në opozitë dhe socialdemokratëve të kryeministrit Zoran Zaev, për përcaktimin e të ardhmes së Prokurorisë Speciale Publike.

LEXONI EDHE KËTË:

Ivanov: Nuk kam asnjë lidhshmëri me 27 prillin

Njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se falja e mundshme nga ana e presidentit në largim të Maqedonisë së Veriut, nuk do ta befasonte askënd.

“E them këtë sepse ai edhe më parë gjatë kohës së krizës ai mori një veprim të tillë me ç'rast i fali të gjithë ata persona që ishin nën hetim. Aq më tepër tani kur partitë politike arritën një marrëveshje për falje, që përfshin ngjarjet e 27 prillit me ç’rast një grup i protestuesve me dhunë u futën në Parlament dhe i sulmuan deputetët, ndërkohë që ajo falje nuk ishte e përgjithshme, por kishte të bëjë vetëm me pjesëmarrësit në turmë dhe nuk i përfshinte ekzekutorët dhe urdhërdhënësit”.

“Kështu që nuk do ta habiste askënd në Maqedoninë e Veriut në qoftë se presidenti në largim Gjorge Ivanov do të ndërmarrë një veprim të tillë për të nënshkruar kërkesën për faljen e personave të dënuar për ngjarjet e 27 prillit, ndërkohë që partitë politike do të komentojnë se ka ose jo të drejtë për ta ndërmarrë një veprim të tillë, si e drejtë e presidentit”, thotë Neziri.

Për rastin ngjarjeve të dhunshme në Parlament të 27 prillit të vitit 2017, u dënuan 16 persona me gjithsej 211 vjet burgim.

Dënimi më i lartë iu shqiptua ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov me 18 vjet burgim, përderisa personave të tjerë iu shqiptuan dënim prej tetë muaj deri në 15 vjet burgim./REL