Emri dhe raportet ndëretnike dominojnë fushatën presidenciale

Emri dhe raportet ndëretnike dominojnë fushatën presidenciale

Marrëveshja e Prespës dhe emri i ri i shtetit, Maqedonia e Veriut, po dominojnë fushatën elektorale të kandidatëve për president shteti, në veçanti të dy kandidatëve maqedonas, Gordana Siljanovskës të opozitës maqedonase dhe Stevo Pendarovskit të partive në pushtet.

Edhe java e dytë e fushatës ka vazhduar me akuza mes tyre për atë nëse me Marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit është ruajtur ose jo identiteti maqedonas, nëse kjo marrëveshje garanton të ardhme, nëse sigurohet stabiliteti dhe mirëqenia e qytetarëve.

Kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska, në shumë tubime me elektoratin e saj, ka thënë se nuk do të njoh emrin e ri të shtetit, por ka pranuar ndërkohë se ai është pjesë e Kushtetutës, e për të cilën ka premtuar se do të paraqes nismë për ndryshimin me qëllimin kthimin e emrit Republika e Maqedonisë. Ajo madje ka kritikuar ata që e kanë akuzuar se fushata e saj e përqendruar në çështje patriotike, është e vjetërsuar.

“Nuk është e vërtetë se sot nuk është moderne të flitet për atdheun. Po na thonë se kemi mbetur në shekullin e XIX. Çdo komb ka të drejtën të ketë shtetin e tij, identitetin, gjuhën, traditën, kulturën. Atdheu është i pandarë nga kombet. Gjithçka mund të ndryshoni, ideologjinë, veshjen, por atdheun asnjëherë”, ka deklaruar kandidatja e VMRO DPMNE-së opozitare, Gordana Siljanovska.

Por, pretendimet e saj në vazhdimësi janë kundërshtuar nga kundër-kandidati i saj, Stevo Pendarovski nga LSDM-ja e që mbështetet edhe nga 31 parti tjera, përfshirë edhe BDI-në e Ali Ahmetit. Pendarovski ka thënë nëpër tubime se marrëveshja me Greqinë përveç që ruan identitetin, ajo garanton edhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Tani me marrëveshjen kemi gjithçka që ka të bëjë me identitetin maqedonas, kemi institucionet maqedonase, kemi gjuhën maqedonase. Marrëveshja e Prespës është marrëveshja më e mirë e mundshme që kemi mundur të arrijmë dhe të ruajmë identitetin tonë. Me këtë marrëveshje që nuk pranohet nga opozita, por që është e vetëdijshme se nuk do të mund të revidohet, zhbllokohet procesi euro-integrues, de fakto ne jemi në NATO dhe presim së shpejti marrjen e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE”, ka deklaruar Pendarovski.

Dy kandidatët kanë shkëmbyer akuza edhe për konceptin “Një shoqëri për të gjithë”, që zë vend të madh në fushatën e Pendarovskit të partive në pushtet.

“Ata vazhdimisht thonë se në një shoqëri për të gjithë qytetarët, të gjitha bashkësitë etnike duhet të jenë të njëjtë dhe të barabartë pasi kështu do të jetonim më mirë. Më besoni, kjo nuk është e vërtetë. Kjo shoqëri është shumë-kulturore, shumetnike, shumë-konfesionale, shumë-gjuhësore, ky është realiteti".

"Por, koncepti i tyre një shoqëri për të gjithë, është në fakt një fenomen shumë i rrezikshëm pasi ata po promovojnë një koncept për shtet dykombësh, pasi gjithandej përmenden vetëm se shqiptarët dhe maqedonasit, pra, ku mbeten bashkësitë tjera etnike”, ka deklaruar kandidatja e opozitës maqedonase, Gordana Siljanovska.

Por, Stevo Pendaroski, ka thënë se koncepti “një shoqëri për të gjithë”, është garantues i paqes dhe zhvillimit të Maqedonisë së Veriut.

“Ky shtet mund të ketë prosperitet vetëm nëse të gjitha bashkësitë etnike i kanë të drejtat e njëjta dhe nëse kanë qëllime para vetes së tyre. Në këtë shtet, në këtë shtëpi tonën të përbashkët, të quajtur Maqedonia e Veriut, ose të gjithë do të kemi të drejta të njëjta, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare ose nuk do ketë gëzim për asnjërin nga ne”, ka deklaruar Stevo Pendarovski në një tubim me banorët e komunës së Çairit në Shkup.

Megjithatë, kandidati i partive opozitare shqiptare, Blerim Reka, thotë se në Maqedoninë e Veriut duhet të ketë koncept për shtet e jo vetëm se për shoqëri për të gjithë.

“Në kundër-taborin tonë thonë se koncepti i tyre është shoqëri për të gjithë. Por, unë them jo, koncepti duhet të jetë shtet për të gjithë. Shoqëri për të gjithë ne kishim edhe në komunizëm, 40 vjet më parë, por edhe tani 30 vjet pas komunizmit. Por, edhe tani në vitin 2019, Maqedonia nuk është shtet për të gjithë, është shtet vetëm për një kategori qytetarësh”, ka deklaruar Reka në një tubim elektoral në rajonin e Tetovës.

Fushata e kandidatëve është përqendruar edhe në ligjet për Prokurorinë Speciale, sundimin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, reformat e sigurisë dhe në shumë sfera ku ata nuk kanë kompetenca. Edhe pse të vetëdijshëm për këto çështje ata kanë thënë se do të ngrenë zërin për të gjitha çështjet që janë në interes të qytetarëve./REL


MË SHUME NGA Rajoni