Spitali i Mitrovicës me shërbime të kompletuara në ortopedi

Spitali i Mitrovicës me shërbime të kompletuara në ortopedi

Në Repartin e Ortopedisë të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, po trajtohen disa raste më të ndërlikuara të lëndimeve në gju, të cilat më herët janë kryer vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Përveç ndërhyrjeve për vendosjen e protezës totale, mjekët janë duke realizuar edhe një operacion tjetër si, ligamento-plastika në ligamentin kryesor të përparmë të gjurit.

Ushtruesi i detyrës sb drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm, Enis Istrefi, vlerësoi lart punën e mjekëve specialistë, derisa tha se qytetarët e Mitrovicës dhe qyteteve përreth nuk kanë nevojë më t’i drejtohen QKUK-së për të tilla shërbime ortopedike.

“Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës ka mbështetur dhe do të mbështesë në vazhdimësi Repartin e Ortopedisë për punën që po bëjnë. Qytetarët e Mitrovicës dhe Regjionit të Mitrovicës, tash e tutje, mund t’i drejtohen në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë për ato lloj të operacioneve dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në QKUK, pasi që ato kryhen edhe tek ne”, thotë Istrefi.

Në anën tjetër, shefi i Repartit të Ortopedisë, Afrim Ngucati, tha se aktivizimi i shërbimeve për problemet e pjesës ortopedike ndihmon shumë edhe QKUK-në.
“Qëllimi ynë është që të shkarkohet edhe Qendra Klinike Universitare, ku dihet që është një fluks shumë i madh i pacientëve”, tha ai.

Ortopedi Amir Veseli, ndërkaq, foli për numrin e operacioneve që kryhen në baza javore, gjersa theksoi nevojën për hapjen edhe të një salle të re, në mënyrë që të mbulohen të gjitha kërkesat me kohë.

“Numri i operacioneve mund të shkojë deri në 10 brenda javës, duke përfshirë gjithë patologjinë e pjesës ortopedike” thotë Veseli.

Në këtë spital, shërbime mjekësore për problemet që ndërlidhen me ortopedinë, marrin edhe pacientë nga Vushtrria dhe Skënderaj.