U promovua libri “Kështu foli Rugova”

U promovua libri “Kështu foli Rugova”

Në kuadër të “Javës së Bibliotekës”, sot në Bibliotekën e Qytetit “Hivzi Sulejmani” është promovuar libri “Kështu foli Rugova” përgatitur nga Munish Hyseni.

Libri përmbledh intervistat që ka dhënë Ibrahim Rugova e që janë botuar në gazetat e revistat e Kosovës në një periudhë pesëmbëdhjetëvjeçare 1990 – 2005. Autori i përmbledhjes, Munish Hyseni, theksoi se zhanri i intervistës “i ka dhënë Ibrahim Rugovës mundësi të mëdha për të shprehur mendimet e veprimet e veta, për të elaboruar gjerësisht platformën e pavarësisë së Kosovës dhe çështjen shqiptare përtej takimeve partiake, ndërpartiake e konferencave për shtyp gjatë viteve ’90 dhe më pas”.

Folës kryesor në këtë promovim ishte profesori i gazetarisë Ibrahim Berisha, i cili solli detale nga bashkëpunimi i tij me Rugovën, që nga koha e themelimit të Lidhjes Demokratike pastaj edhe si udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës.

Profesor Berisha nxori në pah përhershmëritë që theksohen gati në të gjitha intervistat që ka dhënë presidenti Rugova e që kanë të bëjnë me konsistencën për politikën e rezistencës paqësore, për synimin e patjetërsueshëm për pavarësinë e Kosovës, për idenë e protektoratit politik e ushtarak dhe krijimin e miqve kudo në botë.

“Rugova edhe në intervistën e vitit 2004 kërkonte që Kosova të bënte më shumë miq. Krejt e kundërt me veprimet e udhëheqësve të sotëm të Kosovës, që po rrezikojnë edhe humbjen e miqve që i kemi”, tha profesor Berisha.

Për aspekte të ndryshme të qëndrimeve e të veprimeve politike të presidentit Rugova folën edhe Shkumbin Brestovci e Shkelzen Gashi.