Shtime, nga 5 qershori, barnatoret në shërbim të qytetarëve 24 orë

Shtime, nga 5 qershori, barnatoret në shërbim të qytetarëve 24 orë

Në vazhdën e takimeve kushtuar organizimit të kujdestarive të barnatoreve në qytetin e Shtimes, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Labinot Beqa, ka mbajtur takimin e radhës, ku është diskutuar rreth analizës së detajuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Vezir Bajrami” dhe farmacistët shtimjanë.

Me këtë rast, drejtoresha e QKMF “Dr. Vezir Bajrami, Mirditë Qeriqi-Hajdari ka treguar se është llogaritur mesatarja e vizitave pas orës 20:00 të pacientëve për tremujorin e fundit, në kuadër të emergjencës që janë bërë në QKMF të Shtimes, gjë që ka rezultuar të jetë 52 pacientë. Ndërkaq, përfaqësuesi i barnatoreve, Armend Brahaj ka potencuar se aktualisht komuna e Shtimes ka gjithsej 8 barnatore.

Si rezultat i këtij takimi, ku ishte i pranishëm edhe inspektori komunal, Sherif Sherifi u arrit marrëveshja që nga data 11 prill – 4 qershor, barnatoret të kujdestarojnë me rrotacion nga ora 20:00 – 2:00, ndërkaq nga 5 qershori deri më 1 shtator do të ketë kujdestari me rrotacion në shërbim të qyetarëve 24 orë.

Barnatorët në bashkëpunim me QKMF “Dr. Vezir Bajrami” kanë hartuar orarin e barnatoreve kujdestare, të cilat prej ditës së enjte, më 11 prill, do të bëjnë publik orarin e kujdestarive, i cili do të jetë i vendosur në tabelën e njoftimeve në QKMF në Shtime.


MË SHUME NGA Shëndetësi