Shtyhet votimi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Shtyhet votimi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Është shtyrë për një ditë tjetër, votimi për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Votimi ishte paraparë të zhvillohej në takimin e së mërkurës së Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Shtyrja e votimit është konfirmuar nga zyrtari për informim i KPK-së, Bedri Gashi.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që është aprovuar njëra nga kundërshtimet e paraqitura nga dy kandidatët që nuk ishin poentuar për fazën finale, Armend Hamiti dhe Atdhe Demaj, por duke mos treguar se cila prej ankesave është aprovuar. Shqyrtimi i këtyre ankesave është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Ndryshe, në garë për këtë pozitë, janë ish-kryesuesi i KPK-së, Blerim Isufaj si dhe Haki Gecaj.

Komisioni për Vlerësimin e Kandidatëve për Kryeprokuror të ri të PSRK-së kishte rekomanduar ish-kryesuesin e KPK-së, Blerim Isufaj të cilin e kishin vlerësuar me 40.1 pikë, kurse Haki Gecaj, ishte vlerësuar me 42.9 pikë.

Kurse, dy kandidatët që nuk kishin kaluar në fazën finale, Atdhe Demaj, ishte vlerësuar me 31.8 pikë, ndërsa Armend Hamiti ishte poentuar me 29.2.

Deri më tani, pozitën e Kryeprokurorit të PSRK-së e ka mbajtur prokurori Reshat Millaku.

Millaku ishte zgjedhur në krye të PSRK-së me 16 shtator 2016.

Zgjedhja e kryesuesit të ri të PSRK-së bëhet pas pensionimit të Millakut.

Konkursi për Kryeprokuror të ri të PSRK-së është hapur nga KPK, më 1 mars 2019 dhe është mbyllur më 15 mars 2019.

Më 1 mars 2019, kur edhe ishte shpallur konkursi për Kryeprokuror të PSRK-së, KPK kishte themeluar Komisionin për Vlerësimin e Kandidatëve për Kryeprokurorë të PSRK-së, i përbërë nga kryesuesi Besim Kelmendi dhe anëtarët Drita Hajdari dhe Xhevdet Bislimi.

Më pas, prokurorja speciale Drita Hajdari kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Në një përgjigje me shkrim nga KPK-ja, për “Betimi për Drejtësi”, thuhej se dorëheqja e Hajdarit është bërë për arsye personale.

Në këtë përgjigje thuhej se anëtarja e komisionit, Drita Hajdari, është zëvendësuar nga anëtari rezervë i këtij komisioni, Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi