KPK miraton rregulloren për shërbimet e komunikimit me publikun

KPK miraton rregulloren për shërbimet e komunikimit me publikun

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në takimin e së mërkurës ka miratuar rregulloren nr.03/2019 për shërbimet e komunikimit me publikun.

Kryetari i Komisionit për Çështje Normative, Zejnullah Gashi, ka thënë se kjo rregullore është hartuar në atë formë që përpos komunikimit me publikun, të ruhet edhe konfidencialiteti i hetimeve si dhe të mbrohen të drejtat e njeriut.

Gashi ka thënë se kontribut të madh në këtë rregullore ka dhënë Ambasada Amerikane si dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

“Sa i përket kësaj rregulloreje, ne falënderojmë Ambasadën Amerikane dhe IKD-në për komentet e dhëna. Shumica e komenteve që ka bërë IKD-ja janë inkorporuar në këtë rregullore”, ka thënë Gashi.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë se përmes kësaj rregulloreje, qytetarët do të jenë më të informuar rreth asaj se çfarë po ndodh në sistem prokurorial.

“Në këtë rregullore kemi punuar gjatë me partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rregullore, si partnerët ndërkombëtar, ashtu edhe IKD-në. Qëllimi i kësaj rregulloreje është që publiku të informohet në kohë sa më të shkurtë, si dhe qytetarët të jetë të informuar vazhdimisht se çka po ndodhë në sistemin prokurorial”, ka thënë Hyseni.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi