Publikohet fotografia e parë e një vrime të zezë

Publikohet fotografia e parë e një vrime të zezë

Një ekip ndërkombëtar shkencor paraqiti të mërkurën fotografinë e parë të vrimës së zezë, duke përdorur një rrjet global teleskopësh.

Ky zhvillim pritet të ofrojë njohuri për objektet qiellore me fushë gravitacionale aq të fortë saqë materia apo drita nuk mund të shpëtojnë.

Shkencëtarët e kanë përshkruar si një “mostër” vrimën e zezë që ndodhet afro 54 milionë vite dritë larg.

Fotografimi i saj u realizua përmes një rrjeti prej tetë teleskopësh të vendosur në vende të ndryshme të globit.

Kjo është dëshmia e parë vizuale që vrima e zezë ekziston, thonë studiuesit. Në fotografinë e prezantuar, duket pjesa kryesore e zezë e rrethuar nga një unazë drite.

Vrima e zezë ka një masë prej 6.5 miliardë herë më të madhe se sa dielli, më e madhe se orbita e Neptunit, planetit që i duhen 200 vite për të realizuar një cikël rreth diellit.

“Kemi parë atë që e mendonim se ishte e pamundur. E pamë dhe madje e fotografuam vrimën e zezë,” u tha gazetarëve astrofizikani Sheperd Doeleman.

Vërtetimi i ekzistencës së vrimës së zezë fuqizon Teorinë e Relativitetit të Albert Einstein-it. Vrimat e zeza janë jashtëzakonisht të vështira për t'u vëzhguar pavarësisht nga masa e tyre e madhe.