Pa rritjen e prodhimit në `Trepçë`,pagat e punëtorëve s`janë të sigurta

Pa rritjen e prodhimit në `Trepçë`,pagat e punëtorëve s`janë të sigurta

Kryetari i Bordit të Trepçës, Ardian Syla, në një intervistë për Emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com, ka folur për gjendjen në Trepçë pas shndërrimit në kësaj ndërmarrje në shoqëri aksionare. Ai ka treguar se prodhimi në Trepçë, aktualisht nuk është i mjaftueshëm për të siguruar pagat e punëtorëve, e as nuk garanton investime.

“Një pjesë e pagave sigurohet nga prodhimi, kurse pjesa e tjetër është siguruar nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, i cili në vazhdimësi ka subvencionuar ndërmarrjen Trepça. Muajin e kaluar i kemi marr rreth 5 milionë euro nga Qeveria e Kosovës, e që ka krijuar një stabilitet financiar të përkohshëm në sigurimin e pagave si dhe në investimet kapitale të nevojshme për operimin dhe gjenerimin e prodhimit në ndërmarrje”, tha Syla.

Subvencionimi i Trepçës nga Qeveria, sipas tij, është zgjidhje e përkohshme.

“Infuzioni i cili ka ndodhur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është i përkohshme. Pa një ngritje të prodhimit dhe krijimit të një stabiliteti financiar, mund të ballafaqohemi me situata sikur të para disa muajve ku nuk kemi qenë në gjendje që t’i paguajmë pagat e punëtorëve. “Realisht nuk ka asgjë të sigurt pasi që varët nga rritja e prodhimit dhe nga sigurimi i mjaftueshëm i xehes i cili bëhet pastaj koncentrat dhe shitet, ku pa pasur një furnizim të qëndrueshëm dhe trend rritës të prodhimit, nuk mund të thuhet se mund ta kemi një gjendje stabile financiare”, ka thënë kryetari i Bordit të Trepçës Ardian Syla.

Në vitin 2018, Trepça ka gjeneruar sipas tij, 12.2 milionë dollarë nga shitja e koncentratit të plumbit dhe zinkut.

Syla ka folur edhe për punën në pjesën veriore të Trepçës, deri sa ka kritikuar menaxhmentin në atë pjesë për mos bashkëpunim edhe sa i përket regjistrimit të Trepçës si Shoqëri Aksionare.

Në këtë intervistë për Emisionin “EKONOMI” Ardian Syla ka folur edhe për futjen e kapitalit privat në Trepçës si dhe për punësimet e reja që i duhet kësaj ndërmarrje.