Dalai Lama del nga spitali

Dalai Lama del nga spitali

Udhëheqësi shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama ka dalë nga spitali në Delhi, tre ditë pasi u diagnostikua me një infeksion në gjoks.

Zëdhënësi i tij tha se 83-vjeçari vuante nga një kollë e lehtë, por po përmirësohet.

"Ai doli nga spitali në orën 08:00 të mëngjesit", tha Taklha për agjencinë e lajmeve AFP të premten.

Një ditë më parë, Taklha tha se Dalai Lama ka rifilluar tashmë rutinën e tij normale dhe po bën disa stërvitje.

Ai pritet të kalojë disa ditë pushimi në Delhi para se të kthehet në Dharamsala.

Dalai Lama, fitues i Çmimit Nobel Për Paqe, u largua në Indi 60 vjet më parë pas një kryengritje të dështuar kundër sundimit Kinez.

Tani ai jeton në mërgim në qytetin indian të Dharamsalës.