Arrestohen dy persona të dyshuar për rastin e vrasjes në Skenderaj

Arrestohen dy persona të dyshuar për rastin e vrasjes në Skenderaj

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona si të dyshuar për rastin e vrasjes dhe më pas djegies së makinës së bashku me trupin e viktimës brenda, Ilir Zeqiri.

Arrestimin e dy personave e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Të dyshuarit e arrestuar, sipas policisë  janë H. F, 32 vjeçar dhe K.I 19 vjeçar, të dy shtetas të Republikës së Kosovës.

“Skuadra për Hetimin e Krimeve të Rënda në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, pas një hetimi intensiv me datën 11 prill 2019, kanë identifikuar dhe kanë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale ‘vrasje e rëndë’ të ndodhur me datën 8 prill 2019, në Skenderaj.  Përveç arrestimit hetuesit policorë në zonën e Skenderajt, kanë realizuar edhe dy bastisje në dy lokacione të ndryshme në shtëpitë e të dyshuarve, me ç’rast në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: dy pushkë automatikë AK 47, 14 copë fishekë, është sekuestruar një veturë, e cila dyshohet se është shfrytëzuar nga të dyshuarit në kryerjen e ‘veprës penale’”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit të rastit dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Ndryshe, kjo ngjarje kishte ndodhur të hënën e kësaj jave në një rrugë të shmangur në fshatin Prekaz i Epërm në Skenderaj.

Dyshohet se tani viktima pasi që ishte vrarë, trupi i tij së bashku me veturën ishin djegur.

Pas rastit, Policia e Kosovës kishte dal në vendin e ngjarjes, ku kishte bërë të ditur se aty janë gjetur pesë gëzhoja të armës.

“Rreth orës 19:00 të datës 8 prill 2019, Policia ka pranuar informacion se ne fshatin Prekaz i Epërm të Skenderajt, një veturë ishte kapluar nga zjarri. Drejt vendit te ngjarjes me urgjencë kanë reaguar njësitë policorë dhe njësia e zjarrfikësve nga ku pas fikjes së zjarrit brenda në veturën e djegur është gjetur një trup i pajetë. Nga hetimet e para dyshohet se trupi i pajetë është i viktimës I. Z. rreth 48 vjeçar, ndërsa vetura e djegur me targa vendore ishte në pronësi të viktimës. Nga këqyrja e vendit te ngjarjes dhe hetimet fillestare të bëra nga hetuesit e Krimeve të Rënda në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja të armës”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kishin thënë se dyshimet e para janë se bëhet fjalë për vrasje. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi