Lista e re e barnave esenciale e gatshme në muajin maj

Lista e re e barnave esenciale e gatshme në muajin maj

Ka disa javë që procesi i lidhjes së kontratave, përkatësisht i menaxhimit të kontratave për furnizim me produkte nga lista e barnave esenciale është bartur nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Tani e tutje çdo kontratë e re e cila do të lidhet në të ardhmen që ka të bëjë me shërbimet shëndetësore të nivelit dytësor ku hyjnë spitalet dhe nivelit tretësor ku hynë Qendra Klinike Universitare, do të lidhet drejtpërdrejtë nga SHSKUK-ja, kështu po thotë në një intervistë për Ekonomia Online, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Ai ka treguar se ministria është në proces të revidimit të listës së barnave esenciale dhe në fund të muajit prill, eventualisht në fillim të muajit maj, sistemi shëndetësor pritet ta ketë listën e re të barnave esenciale.

“Kontratat që janë në proces dhe ato që lidhen më herët nga Fondi do të menaxhohen deri në skadim të tyre, ndërsa çdo kontratë e re tash e tutje do të lidhet dhe menaxhohet nga SHSKUK-ja. Sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë si institucion politikbërës, ministria është në proces të revidimit të listës së barnave esenciale sipas nevojave të institucioneve shëndetësore dhe ne presim që ka fundi i këtij muaji, eventualisht në fillim të muajit maj Kosova”

“…përkatësisht sistemi shëndetësor ta ketë listën e re të barnave esenciale e cila sigurisht do të jetë shumë më e pasur se lista aktuale në fuqi sepse do të përfshihen propozime të reja qoftë nga institucionet shëndetësore, qoftë nga subjektet farmaceutike dhe me ndihmën edhe me ekspertë të OBSH-së do të përpilohet një listë e cila do t’i përgjigjet sistemit shëndetësor të Kosovës, përkatësisht nevojave që ka sistemi publik shëndetësor për furnizim me produkte mjekësore”, ka thënë Hoti.

Ai ka treguar se buxheti për material shpenzues, përfshirë edhe citostatikët këtë vit është rritur dhe tani në dispozicion të institucioneve shëndetësore janë 34.9 milionë euro.

“Sa i përket buxhetit të ndarë për barna dhe material shpenzues përfshirë edhe citostatikë, që janë parat me të cilat trajtohet sëmundjet malinje, sivjet buxheti është rritur sepse në dispozicion ministria përkatësisht institucionet shëndetësore publike kanë 34.9 milionë euro, që do të thotë është një ngritje substanciale”.

“Megjithatë edhe e kaluara ka dëshmuar se sistemi shëndetësor, përkatësisht pacientët tanë kanë pasë nevojë që të kenë më tepër barna në dispozicion dhe për këtë qëllim MSH-ja po e bënë edhe revidimin e listës së barnave esenciale e cila duhet t’i përgjigjet buxhetit të ndarë për këtë kategori të shërbimeve”, tha Hoti.

Në të kaluarën duke u thirrur në ekonominë e lirë të tregut, sipas Hotit, subjektet farmaceutike kanë mbajtur çmime të ndryshme të barnave në farmacitë e tyre, ky fenomen ekziston edhe sot.

“ Ka disa muaj që MSH-ja në mënyrë aktive ka punuar në nxjerrjen e udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimit të barnave i cili do të vendos tavan për çmimet për produktet e caktuara, në veçanti për ato të cilat do t’i kontraktojë sistemi publik shëndetësor dhe kësisoj në të ardhmen synimi është që qytetari kosovar pavarësisht se në cilin qytetet do të blejë një medikament ta ketë çmimin e njëjtë dhe të mos ketë psh. në një farmaci në qytet një preparat ta blejë me një çmim shumë të lartë se që mund ta blejë psh. në një qytet tjetër”.

“…thjeshtë të ketë një rregull sa i përket edhe çmimeve dhe jo vetëm në sektorin privat, por edhe në sektorin publik preparatet që blihen të blihen me çmime të arsyeshme dhe ato të kenë vlerën e tregut, mos të jenë çmime të fryra siç ka ndodhë në të kaluarën, por të jenë çmime të cilat i përgjigjen edhe zhvillimit të vendit dhe mundësive që i kanë edhe qytetarët e vendit”, ka thënë Hoti.

Hoti në këtë intervistë ka folur edhe për blerjen e barnave në farmacitë në Kosovë, pa recetë mjekësore. Ai ka thënë se ka shumë raste kur qytetarët shkojnë në farmaci blejnë antibiotikë dhe ky paraqet një rrezik të madh për shkak se i rritë gjasat që të krijohet rezistencë.

“Në vendin tonë ka udhëzim administrativ për recetat mirëpo kjo nuk është zbatuar sa duhet dhe në këtë pikëpamje ka nevojë që të forcohen masat e monitorimit dhe në të ardhmen receta të bëhet një devizë pune për të gjithë ata që marrin pjesë prej ordinimit të terapisë deri në shpërndarjen e saj. Udhëzimi ka listën e barnave që mund të merren pa recetë të mjekut mirëpo këtu nuk hyjnë ato barna të cilat shkaktojnë varshmëri”, tha ai.

E, duke folur për shërimin e pacientëve jashtë vendit dhe ndihmën që po ofron MSH-ja në këtë drejtim, Hoti tha se me hapjen e shërbimeve të reja në institucionet shëndetësore publike dhe me rritjen e vëllimit të punës tani më nuk ka nevojë të kërkohet shërbim mjekësorë në klinika private dhe jashtë vendit.

“Së fundi e keni vërejtur hapjen e shërbimeve të reja sidomos në fushën e Onkologjisë, Kardiokirurgjisë, Kardiologjisë Invazive, Oftamatologjisë, me të vetmin qëllim që mjetet e taksapaguesve kosovar të mbesin në vendin tonë dhe qytetari ta merr më afër shërbimin shëndetësor në vendin e tij. Edhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore përmes programit të subvencionimit të trajtimeve jashtë institucioneve publike shëndetësore kanë ndihmuar qytetarët që të marrin shërbime jashtë”.

“…por nëse shohim këto vitet e fundit mjetet kryesisht mbesin në Kosovë shumica prej tyre, jo të gjitha në sektorin publik sepse një numër i konsiderueshëm shkon në sektorin privat mirëpo ka një ndryshim të raportit derisa përpara më shumë kanë shkuar jashtë vendit, tani janë disa shërbime që janë hapur edhe në sektorin privat”, tha ai.

“…qëllimi i MSH-së është që të gjitha shërbimet shëndetësore që ka mundësi të ofrohen në sektorin publik dhe ju keni vërejtur që kohëve të fundit me rritjen e vëllimit të punës në shumë shërbime të QKUK-së qytetarët më nuk kanë nevojë të shkojnë në sektorin privat e as jashtë vendit”.