​Reka: Maqedonia e Veriut po zbrazet nga mungesa e perspektivës

​Reka: Maqedonia e Veriut po zbrazet nga mungesa e perspektivës

Kandidati për president në Maqedoninë e Veriut, Blerim Reka, sonte vazhdoi fushatën në Gostivar.

Gjatë tubimit, Reka tha se në thelb të fushatës qëndron Republika kundër shtetit privat e të kapur dhe Republika me perspektivë kundër shtetit të zbrazët.

“Shteti nuk është pronë private, por trashëgimi e gjithë qytetarëve të saj si të barabartë. Republika nuk njehë demokracinë e dozuar për ‘kombet statistikore’, të cilëve u lejohen aq të drejta sa për qind janë. Në Republikë, nuk ka ‘dhënie’ të drejtash sepse ato janë të drejta natyrore si shtetas të këtij shteti, e jo nga diskrecioni i pushtetit që vendosë se kujt, kur, e sa të drejta do t’i lejohen”, tha Reka.

Ai tha se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk është i detyrueshëm, por vullnetar dhe se maqedonasit vendosin vetë nëse do bëhen pjesë e tyre.

“Përderisa BE-ja afron vlera, kurse NATO siguri, kjo krijon një perspektivë të përgjithshme në vend, i tërheq investitorët e huaj që të vijnë brenda dhe parandalon qytetarët që të ikin jashtë”, vijoi Reka.

Kandidati për president deklaroi se mungesa a perspektivës e zbrazi për një çerek popullatën e Maqedonisë së Veriut, kurse sipas tij paralajmërimet janë që deri në vitin 2030 mund të ikë edhe çereku tjetër i popullsisë.

“Mungesën e perspektivës nuk e sjell vetëm papunësia, por edhe lodhja e qytetarit nga nepotizmi dhe korrupsioni. Nga mungesa e sundimit të ligjit dhe nga gjyqësori i politizuar. Nuk ka perspektivë po ashtu kur vendi me vite është ndër më të ndoturit në botë”, deklaroi Reka.


MË SHUME NGA Rajoni