Stafi i QKUK-së në ekskursion në Shqipëri, ankohen pacientët

Stafi i QKUK-së në ekskursion në Shqipëri, ankohen pacientët

Me qindra punëtorë të QKUK-së, të premten në mëngjes janë nisur për në Shqipëri. Stafi i QKUK-së ka kaluar vikendin duke shëtitur në qytetet bregdetare të Shqipërisë.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, Sindikata e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka angazhuar kompaninë private, me nëntë autobusë për t’i çuar anëtarët e saj në këtë “ekskursion”. E ky udhëtim organizohet nga kjo sindikatë pothuajse çdo vit.

Pacientët të dielën janë ankuar për numër të vogël të stafit, megjithatë të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.

Sipas tyre, gjatë këtij vikendi ka pasur mungesë të mjekëve, e në këto reparte ka pasur vetëm infermierë kujdestarë.

KosovaPress ka tentuar të bisedojw me Islam Krasniqin, përfaqësuesin e Sindikatës së QKUK-së, por që i njëjti nuk është përgjigjur në telefonatat tona.

Në lidhje me këtë ka folur, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

“Kjo është me ligj e rregulluar, nuk po shoh diçka dramatike dhe të keqe. Ky organizim bëhet çdo vit, shkon në kuadër të relaksimit dhe marrëdhënieve të mira ndërnjerëzore, vetëm kështu mund të ecim përpara. Këto janë parat e njerëzve të cilat grumbullohen, organizimin e bënë sindikata, nuk e bën federata”, tha ai.

Ai ka mohuar të ketë pasur mungesë të stafit gjatë këtyre dy ditëve.

“ Nëse vërtetohet që dikund ka pasur mungesë të stafit, zakonisht është bërë marrëveshje ndërnjerëzore, atëherë ne japim përgjegjësi. Shkon komform rregullave, paraqiten kërkesat dhjetë ditë, një javë përpara, rregullohen çështjet e ndërrimeve”, tha ai.

Megjithatë, Syla ka thënë se nuk është i informuar se sa është numri i saktë i stafit të QKUK-së që janë pjesë e këtij ekskursioni.