Me gjithë incidentet, futbolli në Kosovë po fiton ndaj dhunës

Me gjithë incidentet, futbolli në Kosovë po fiton ndaj dhunës

Pasditen e 31 marsit, derisa po ndante drejtësinë në ndeshjen Deçani – Dushkaja, në Ligën e Dytë të futbollit në Kosovë, gjyqtari Arben Danuza ishte sulmuar fizikisht nga një futbollist i klubit vendas.

Pas një ndërhyrjeje të parregullt, Danuza, fillimisht kishte ndëshkuar me karton të verdhë një lojtar të Deçanit, e pas kundërshtimeve të njëjtit lojtar i kishte treguar edhe kartonin e dytë të verdhë, e më pas të kuqin. Këtë vendim e kishin kundërshtuar dhunshëm trajneri dhe një futbollist tjetër në bankën rezervë të Deçanit.

Gjyqtari Danuza për Radion Evropa e Lirë tregon se si futbollisti vendas u fut në fushë dhe e goditi atë disa herë, duke bërë që ndeshja të ndërpritet pesëmbëdhjetë minuta para fundit.

“Në momentin që unë vendosa t’i jap karton të verdhë lojtarit që bëri ndërhyrje të palejuar, dhe në atë moment që i dhashë karton lojtarit të klubit vendas, ata kundërshtuan dhe trajneri u vërsul, dhe i dhashë kartonin e dytë të verdhë dhe të kuqin. Pasi dhashë kartonin e kuq, një lojtar që ishte në bankën rezervë, por ishte me rroba civile, hyri në fushë më shtyu dhe më goditi dy herë”, shpjegon Danuza.

A mund të jetësohet ëndrra evropiane e Kosovës në futboll?

Megjithatë, sipas tij, në stadiumet e futbollit në Kosovë nuk mungon siguria, pasi rastet e tilla janë të rralla. Por, ajo që mungon, sipas Danuzës, është kultura sportive.

“Vërsuljet ndodhin, por rrahje apo goditje nuk ndodhin, sepse pak a shumë janë vetëdijesuar lojtarët, por shumicën e rasteve gjatë ndeshjeve ata që nxisin janë trajnerët. Në momentin që trajnerët nxisin, edhe lojtarët marrin krahë dhe vërsulen ndaj gjyqtarit, se përndryshe nuk ka shumë raste (të dhunës). Të sigurt jemi, por në momentin që ata nisin të kundërshtojnë (vendimet) aty nis konflikti më së shumti. Ende nuk kanë kulturë të futbollit. Por, federata duhet të marrë masa më rigoroze ndaj këtyre ndrydhjeve, t’i ndëshkojnë ata që vërsulen ndaj gjyqtarëve apo bëjnë gjeste të pahijshme”, shprehet gjyqtari 31-vjeçar.

Megjithëse jo të shpeshta, Danuza beson se rastet e tilla e dëmtojnë imazhin e futbollit kosovar, dhe për këtë, ai u bën thirrje klubeve që të reflektojnë dhe vetëdijesohen.

“Është (imazh) shumë i keq, nuk ka këtu dyshim sepse është gjest jo i mirë. Ka kaluar ajo koha kur duhet vendasi të fitojë patjetër, sepse ka qenë një kohë që s’ka pasur shans që të fitojë mysafiri. Por, tash ajo kohë ka kaluar dhe duhet të vetëdijesohemi, kush është më i miri lë të fitojë. Ndodh që edhe referi gabon, nuk them që jo, por të jenë të bindur, çdo klub, që referi nuk e bën me qëllim. Mund të gabojë pesë për qind, dhjetë për qind më shumë nuk mund të gabojë, por duhet ta kuptojnë edhe këtë”, shton ai.

Rasti me gjyqtarin Danuza është një prej të incidenteve të rralla të dhunshme në fushat e futbollit në Kosovë. Kjo veçmas në krahasim me dekadën e parë të pasluftës, kur dhuna në stadiume ka qenë pothuajse e përjavshme.

Rruga e gjatë e futbollit të Kosovës

Në Federatën e Futbollit në Kosovë (FFK) thonë se viteve të fundit gjendja është përmirësuar dukshëm. Sipas sekretarit të FFK-së, Eroll Salihu, ndikim të madh në zvogëlimin e nivelit të dhunës ka pasur anëtarësimi në UEFA e FIFA dhe ashpërsimi i masave ndëshkimore.

“Dallimi është i madh, shumë komponentë kanë ndikuar që të zvogëlohet numri i rasteve të dhunës. Por, së pari është ngritur vetëdija pak. E dyta: motivimi pas pranimit në UEFA dhe FIFA, dhe e treta është edhe Ligji për parandalimin e dukurive negative në sport, që është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Në anën tjetër, të mos harrojmë se edhe komisionet disiplinore, komisionet e garave që veprojnë në FFK janë më të ashpra, për arsye se shkalla tjetër tanimë është në UEFA dhe FIFA, këtë e dinë të gjithë aktorët”, thotë Salihu.

Edhe gazetari dhe komentatori Arlind Sadiku, vlerëson se futbolli kosovar ka bërë progres të madh në uljen e nivelit të dhunës në stadiume. Sipas tij, futbolli në Kosovë në njëzet vjetët e pasluftës, ndahet në dy etapa “të cilat dallojnë sikur nata dhe dita”.

“Derisa në dhjetë vjetët e parë ka ndodhur shpesh ndërprerja e ndeshjeve, hyrja e tifozëve në fushë, rrahja e futbollistëve nga tifozët – jo vetëm nga tifozët – ka pasur shumë raste kur edhe vetë zyrtarët e klubeve kanë qenë të involvuar në dhunë, duke përdorur qoftë shufra apo gjëra të ndryshme për të qëruar hesapet".

"Në këto dhjetë vjetët e fundit kanë ndryshuar gjërat. Kemi raste, për shembull, kur ndodhin sulme në Ligën e Dytë apo në Ligën e Parë, por jo të përmasave të mëdha ku janë të përshirë dhjetëra ose qindra njerëz, mund të jenë dy apo tre njerëz që janë të përfshirë në dhunë. Megjithatë, më gëzon fakti që sensibilizimi i të gjithë lojtarëve, i gjithë publikut ka ndodhur”, vlerëson Sadiku.

Sipas tij, viteve të fundit rastet e dhunës në futbollin kosovar janë individuale, të cilat janë problem edhe në vende të zhvilluara në Evropë – duke marrë shembull rastin e fundit në Angli, kur futbollisti i Aston Villas, Jack Grealish, u sulmua fizikisht në fushë nga një tifoz. /REL/